
Një vrasje e tmerrshme ka tronditur qytetin italian të Tolentinos të shtunën në mbrëmje, ku Nikollaq Hudhra, 55 vjeç, vrau në mënyrë brutale ish-bashkëshorten e tij, Gentiana Kopili, 45 vjeçe, me 10 goditje thike dhe më pas e goditi me shqelma ndërsa ajo ishte e shtrirë përtokë.
Hudhra, një fermer me origjinë shqiptare, kishte kaluar më parë ditën me djalin e tij më të vogël, Mario, 21 vjeç, dhe më pas kishte udhëtuar drejt Tolentinos për të ekzekutuar planin makabër. Për të shmangur zbulimin, ai udhëtoi me një monopatinë elektrike dhe jo me makinën personale, pasi, siç tha vetë më vonë, “Gentiana do ta kishte njohur makinën dhe do të kishte ikur”.
I pajisur me një thikë të madhe prej 30 centimetrash të fshehur nën tuta pune, ai e ndoqi Gentianën në rrugën qendrore via Benadduci, ndërsa ajo po fliste në telefon me një shoqe. E sulmoi tinëzisht nga pas dhe i dha rreth 10 goditje të forta me thikë, pastaj vazhdoi ta godiste edhe me shqelma, ndërsa ajo shtrihej e gjakosur në trotuar.
Pamje të ngjarjes u filmuan nga disa banorë të zonës përmes dritareve të banesave. Në video shihet autori i krimit, i ulur qetësisht në një stol përballë trupit të viktimës, i fiksuar në vend, ndërsa dëshmitarët shfaqin shenja shoku dhe hutimi.
Hudhra, pas aktit, nuk bëri përpjekje për të ikur, por u shpreh me qetësi: “E bëra atë që duhej. Tani thirrni karabinierët”. Policia mbërriti pak më vonë dhe e arrestoi në vendngjarje. Ai ndodhet në burgun e Montacutos në Ankona, në izolim, dhe në ditët në vijim pritet seanca për konfirmimin e arrestimit.
Sipas mediave lokale dhe hetuesve, gjithçka ishte e planifikuar në detaje. Në makinën e tij u gjet një set i tërë thikash, ndërsa ai vetë ka pranuar në dëshminë para hetuesve:
“Ishte hera e tretë që po përpiqesha ta bëja. Ajo donte të më helmonte, donte të helmonte dhe fëmijët. Duhej t’i çliroja ata.”
Ai akuzohet për vrasje të qëllimshme me paramendim, e rënduar nga mizoria dhe raporti familjar me viktimën. Prokuroria po shqyrton edhe mundësinë e një ekspertize psikiatrike për të kuptuar gjendjen mendore të autorit.
Gentiana, me profesion kujdestare të moshuarish, nuk kishte denoncuar ndonjë rrezik apo kërcënim të fundit nga ish-burri, dhe atë mbrëmje ishte nisur për në punë.
Ky është femmicidi i 33-të në Itali për vitin 2025, dhe ka ngjallur tronditje dhe zemërim në opinionin publik, i cili kërkon masa më të ashpra për parandalimin e dhunës ndaj grave.