
Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Kuman në Roskovec, ku një 80-vjeçar dyshohet se ka vrarë bashkëshorten dhe më pas i ka dhënë fund jetës.
Sipas informacioneve paraprake, Shefit Rrapaj ka qëlluar me armë gjahu bashkëshorten e tij, Dashuri Rrapaj, rreth 75 vjeçe, brenda banesës, përpara se të vetëvritej.
Çifti jetonte prej rreth 20 vitesh në zonë dhe ishte prind i 9 fëmijëve, shumica e të cilëve ndodhen në emigracion. Një prej djemve, që jetonte me ta, është shoqëruar nga policia për të dhënë dëshminë.
Burime nga zona bëjnë me dije se në familje ka pasur konflikte të vazhdueshme ndër vite. Vetëm katër ditë më parë, policia kishte ndërhyrë për të zgjidhur një tjetër sherr mes çiftit.
Ndërkohë, mësohet se rreth 10 vite më parë, i moshuari kishte tentuar edhe më herët t’i jepte fund jetës me armë zjarri.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.



