
Një ngjarje tragjike ka prekur qytetin e Volosit në Greqi, ku një 36-vjeçare, Marjola, humbi jetën në mënyrë të dhunshme. Autor i dyshuar i ngjarjes është bashkëshorti i saj, Pandeli Nakoleci, i cili u arrestua nga policia në mesditën e sotme, pas disa orësh në arrati.
Ngjarja ndodhi në prani të fëmijëve të çiftit, të cilët u përballën me një pamje tronditëse. Vajza e madhe e viktimës reagoi në rrjetet sociale me një mesazh prekës:
“Ike, mami im… Do të më mungosh shumë. E di që na sheh nga lart, por unë, Dino, Melisa dhe Asimina të duam pafund. Do jesh gjithmonë në jetën tonë.” Ky mesazh u shoqërua me disa fotografi të saj pranë nënës së ndjerë.
Autori i dyshuar, 40 vjeç, ishte person me të kaluar problematike dhe i njohur për autoritetet. Ai kishte qenë më parë i dënuar për çështje që lidhen me trafikun e drogës, dhënien e dëshmive të rreme dhe përfshirje në organizatë kriminale. Sipas raportimeve, megjithëse kishte pasur sjellje shqetësuese, nuk kishte denoncime të mëparshme për dhunë në familje.
Fqinjët kanë deklaruar se kishin dëgjuar shpesh zëra të lartë nga banesa e çiftit, por duket se situata nuk ishte bërë asnjëherë e njohur zyrtarisht.
Autopsia e viktimës pritet të kryhet në Selanik gjatë ditëve në vijim për të përcaktuar saktësisht shkaqet e ndarjes së saj nga jeta.
Pandeli Nakoleci, u vu në pranga më datë 23 gusht (sot) nga autoritetet greke.
Ai u kap në rrugën ‘Pagason’, afër qendrës së qytetit, 200 metra larg vendit ku ndodhi edhe krimi i rëndë. Policia Helene bën me dije se Nakoleci ishte fshehur në një parkim aty pranë, derisa u kap.
Sipas informacioneve një fqinj e ka gjetur duke fjetur në bar në një parcelë toke në rrugën Evripidou sot dhe njoftoi policinë. Pas arrestimit, mësohet se Nakoleci nuk ka bërë rezistencë, por ai ka bërtitur duke thënë: “E vrava gruan se më tradhtonte!”.
Nuk dihet ende se sa qëndron pretendimi i tij, por hetimet nga policia greke janë aktive. Mbrëmë ai po ecte jashtë shtëpisë së tij në rrugën Konstanta dhe po vëzhgonte ballkonin, sipas dëshmitarëve.
Nakoleci, me disa dosje kriminale dhe probleme me shëndetin mendor
Autoritetet në Greqi shprehen se autori i vrasjes së gruas së tij me thikë ka probleme kriminale nga e kaluara e tij. Dosjet e Nakolecit nisin që në vitin 2013.
Më 2013, është arrestuar për falsifikim dokumentesh dhe hyrje e paligjshme në shtetin grek.
Më 2018, dënuar me një vit burg për deklarata të rreme. Më 2019 është arrestuar dy herë për posedim droge. Më 2020 është dënuar me 4.5 vite burg për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Në muajin qershor të këtij viti, me urdhër të prokurorisë, Nakoleci u dërgua për trajtim në repartin psikiatrik të Spitalit të Volosit, pasi kishte bërë një përpjekje për vetëvrasje. Pas vlerësimit nga mjekët, u konstatua se ai kishte nevojë për trajtim të detyrueshëm dhe për këtë arsye qëndroi i shtruar për një periudhë kohe.