Para se të mbajnë një protestë ditën e hënë për sigurinë e fëmijëve në shkolla, prindërit e përfaqësues të shoqërisë civile mbajtën një deklaratë para shkollës “Fan Noli” ku paralajmëruan edhe bojkot të mësimit nëse nuk merren masa. Ata kërkuan edhe njëherë dorëheqjen e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu.
“Kjo dorëheqje do krijonte precedent dhe modelin e të mbajturit përgjegjësi. Kjo gjë nuk do të mjaftonte po do hapte një shteg drejt zgjidhjes së kësaj drame. Kësaj shkolle i kishim besuar edukimin e më të shtrenjtëve të saj ndërsa ata nuk arritën ti mbrojnë as jetën. Kjo ministre nuk ofron veç zgërdhirje dhe arrogancë, kur artikuluam kërkesat tona për shkollë më të mirë për të krijuar një shoqëri më të mirë nesër. Ne do jemi të hënën para ministrisë së Arsimit për të thënë se nuk e tolerojmë këtë model dhe nuk do të presim që një ngjarje tjetër të ndodhë. Nuk është rrufe në qiell të hapur por sinjal për secilin pre nesh që të reagojë sa nuk është vonë.
Kërkesat nuk janë tekat tona, por domosdoshmëri që të krijojmë një shkollë të denjë për fëmijët tanë dhe një shkollim dinjitoz për të gjithë brezat që do të vijnë. Ne si prindër zotohemi se nuk largohemi nga sheshi derisa kërkesat të plotësohen, nëse ministria dhe qeveria vijon me neglizhojmë konsiderojmë edhe bojkotin e mësimit si formë të reagimit tonë.