Me një pankartë të madhe në dore ku shkruhej “Institucionet e papërgjegjshme vrasin’ prindër dhe të rinj u mblodhën bashkë paraditen e sotme për tu solidarizuar në një marshim protestë nga shkolla “Fan Noli’ në Tiranë që u zhvendos më pas përballë Ministrisë së Arsimit.
Shenjat e duarve me bojë simbol i duarve me gjak u vendoswn në kolonat e godinës së ministrisë së Arsimit.
Prindërit dhe nxënësit kanë hedhur bojë në asfaltin para Ministrisë së Arsimit te Rruga e Durrës në shenjë proteste pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani.
Me pankarta të shumta në duar, me mesazhe për institucionet, shoqërinë, por edhe për 14-vjeçarin e vrarë, qytetarët kanë kërkuar drejtësi dhe siguri.
Tezja e vogëlushit Martin Cani i është bashkuar protestës së thirrur nga qytetarët.
Me thirrje “Ik!’ dhe “Doreheqje” ata kërkojnë largimin e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu.
“Jep dorëheqje. Është njerëzore të japësh dorëheqjen. Nuk je për atë punë. Për çfarë e do karrigen. Nëse paratë nuk shkojnë tek shkolla dhe fëmijët asgjë nuk është e sigurtë’ thotë me mikrofon Migen Qiraxhi nga Qendresa Qytetare.
Një thirrje që u mbështetet dhe nga shumë prindër dhe të rinj që thërrisnin : ‘Dorëheqje! Ik!”
Marshimi protestë vjen si qëllim për sensibilizimin e institucioneve dhe shoqërisë që ngjarje si ajo e vrasjes së Martin Canit 14 vjeçar të mos ndodhin më. 14 vjeçari u vra me thikë më 18 nëntor, pak metra larg shkollës “Fan Noli’ ku ishte nxënës edhe autori, 14 vjeçar tashmë i arrestuar nga policia.
“Kjo vrasje ka autor që duhet të mbajë përgjegjësi. Institucionet duhet të mbajnë përgjegjësi. Nuk ka asnjë komunikim zyrtar e më lën të dyshoj që oficeri i sigurisë, mësuesja, drejtoresha e shkollës, ministria e arsimit nuk e ka bërë detyrën e vet sa duhet. Qeveria që e sheh përgjegjësinë tek mbyllja e TikTokut tregon se nuk e ka bërë punën si duhet’ thotë një vajzë pjesë e protestës.
“Rrjetet sociale janë të rrezikshme por nuk mund të hiqet përgjegjësia nga qeveria! Ministrja duhet të japin menjëherë dorëheqjen. As për një minutë heshtje nuk u mbajt në Kuvend ndërsa ministret flisnin me njëra tjetrën. Nuk janë nëna, i ka mbyt pushteti dhe leku” thotë një tjetër qytetare.
Qytetarët mbajnë në duar dhe pankarta të tjera ku shkruhej ‘Dhimbja e një nëne është thirrja jonë për ndryshim” ‘Fëmijët duhet të jetojnë jo të vriten” “Në një shkollë që duhej ta mbronte, një fëmijë humbi jetën.
“Shteti të marrë përgjegjësinë për atë që nuk mundi. Ku ishte ambulanca, ku ishte policia? Po të merren masa dhe për rrjetet sociale. Unë jam mësuese vetë, jam dakord që raportimi i çdo konflikti duhet të përrcillet tek prindërit’ thotë një mësuese pjesë e marshimit.
Një nënë që iu bashkua protestës para ministrisë së Arsimit tha se mbyllja e TikTokut nuk është zgjidhje.
“Buxheti i 2025 nuk ka lekë për kulturën e teatrin por hapim burgje. Duhet të punojmë për fëmijët tanë. Mbyllja e TikTok-ut nuk është zgjidhje. Jetojmë në epokën digjitale.
Ndërsa përcolli dhe një mesazh për median dhe gazetarët.
“Boll më me shembull silikonash që janë bërë si çadër cirku. Mbushini ekranet me talente boll me shembull që janë bërë si Big Brother e Përputhen.
‘Martini ishte i mbushur me ëndrra e jetë. Ia morën të dyja’ Mesazhi i mamasë së 14 vjeçarit në protestën para Ministrisë së Arsimit
Edhe mamaja e Martinit kishte një mesazh që u lexua në protestën para ministrisë së Arsimit.
“Nuk mendoj që ka fjalë që e përshkruan dhimbjen. Falenderoj gjithë nga zemra. Martini ishte i mbushur me ëndrra e jetë. Ia morën të dyja. Uroj që askush të mos e provojë”
Me foton e Martinit në dorë, edhe shokët e 14 vjeçarit iu bashkuan marshimit protestë që vijon drejt Ministrisë së Arsimit.
Një shok i klasës së Martinit teksa marshon tregon se ditën kur dhe ndodhi vrasja ai i kishte treguar për sherrin që kishte me autorin. Shenjë që 14 vjeçari ka qenë i shqetësuar.
“ E kisha shok klase. Ishte djalë i urtë. Nuk merrej me sherre. Më tha vetëm një herë që ishte zënë me atë por gjë tjetër nuk më ka thënë. Më tregoi të hënën” tha ai.
A mendon se mund të ishte parandaluar?
“Nuk kam përgjigje”
Djali thotë se frika ekziston dhe pranon se rrjetet sociale janë të rrezikshme./shqiptarja