
Prokuroria e Tiranës kërkon burgim të përjetshëm për Bledar Jambellin dhe Kristaq Lecin, për vrasjen e ish-Drejtorit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku. Ky i fundit, u ekzekutua më 7 prill të 2017-ës, dyshohet për shkak të detyrës.
Bledar Jambelli, me ndërmjetësimin e Kristaq Lecit dhe Mikel Shallarit, i cili u bë edhe bashkëpunëtori i drejtësisë ishin autorë të këtij ekzekutimi.
Siç njofton Prokuroria, nga hetimet ka rezultuar se Bledar Jambelli, që konsiderohet person me rrezikshmëri të madhe shoqërore, është hetuar nga i ndjeri për vrasjen e dy personave, në vitin 2012.
Pesë vite më vonë, ai vendosi që në shenjë hakmarrjeje të përgatiste vrasjen e ish-Drejtorit të Policisë, në bashkëpunim me Lecin dhe Shallarin.
“Për realizuar këtë qëllim, ai lidhi marrëveshje me shtetasin K. L. dhe për të realizuar vrasjen takoi edhe shtetasin M. Sh., të cilit iu premtua pagesë reth 20.000 euro dhe se do ta merrte në Gjermani pasi të kryente vrasjen, duke e bindur të kryejë krimin. Shtetasi K.L. e pajisi shtetasin M.Sh., me 2 armë të llojit pistoletë, njëra tipit Zastava dhe tjetra Clock me silenciator, ndërsa vetë u vendos në ndjekje viktimës nga larg duke marrë vëzhgim“, thotë Prokuroria.
Po në bazë të asaj që thotë Prokuroria e Tiranës, Mikel Shallari e gjuajti Cukun plot tetë herë me armë zjarri, duke e lënë të vdekur në vend. Ai u arrestua menjëherë më pas nga ana e autoriteteve, duke u kthyer në bashkëpunëtor të institucioneve të drejtësisë. Shallari u dënua me dhjetë vjet burgim për krimin e kryer, duke u kërkuar edhe ndjesë familjarëve të viktimës.
Prokuroria thekson se vrasja është kryer me dashje në formën e paramendimit e shtyrë nga motive hakmarrje dhe për motive përfitimi të dy bashkëpunëtorëve të tjerë./klan.al