Detaje të reja dalin në dritë lidhur me vrasjen e shqiptarit Jani Aliaj, i cili u ekzekutua një ditë më parë brenda burgut famëkeq të Koridhalos në Greqi. Sipas mediave greke, 49-vjeçari nga Tepelena ndodhej në “status mbrojtjeje”, pasi vetëm gjashtë muaj më parë kishte shpëtuar nga një atentat tjetër brenda të njëjtit institucion penitenciar.

Burimet bëjnë me dije se Aliaj ishte në shënjestër të rivalëve të tij dhe, për arsye sigurie, kishte qëndruar për një periudhë edhe në një qeli të përbashkët me një ish-polic, i arrestuar për çështje droge. Megjithatë, masat e marra nuk kanë mjaftuar për të parandaluar vrasjen.

49-vjeçari u godit për vdekje me thikë brenda qelisë së tij. Autori i dyshuar cilësohet si vrasës me pagesë, i cili më herët dyshohet se ka qenë i përfshirë edhe në vrasjen e një tjetër shqiptari, Artur Bashimi.

Kush ishte Jani Aliaj?

Jani Aliaj ndodhej i arrestuar në Greqi që prej 31 dhjetorit 2024. Në Shqipëri, ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Elton Çiços në vitin 2016 në Tiranë, një konflikt i vjetër që përfundoi me hakmarrje dhe pasoja fatale.

Gjithashtu, Aliaj ishte i përfshirë edhe në një ngjarje të ndodhur në vitin 2015 në Përmet, ku gjatë një tentative për vjedhjen e një sasie të madhe marijuane mbetën të plagosur disa persona.

Autoritetet greke kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të vrasjes, ndërsa ngjarja ka rikthyer vëmendjen mbi sigurinë në burgun e Koridhalos dhe përplasjet mes grupeve kriminale brenda tij.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu