
Është shoqëruar me debate mbledhja e sotme (8 tetor) e Konferencës së Kryetarëve. Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja dhe interpelanca urgjente me kryeministrin Rama ishin prej çështjeve që nxitën diskutime në mbledhje, pas kërkesës së kreut të grupit parlamentar socialist Taulant Balla për nisjen e seancës plenare të së enjtes (9 tetor) me një minutë heshtje në nder të gjykatësit të ndjerë.
Opozita nga ana e saj, pasi kërkoi prej institucioneve shtetërore nisjen e procedurave për shpalljen e gjyqtarit Kalaja “Dëshmor të Atdheut”, deklaruan se ngjarja e rëndë do duhet të jetë temë debati në Kuvend për sigurinë e jetës së qytetarëve dhe realitetin “tragjik” ku ndodhet vendi sipas tyre.
Në fjalën e tij kreu i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi deklaroi se Kuvendi nuk mund të mjaftohet thjesht dhe vetëm me një minutë heshtje, por të diskutojë mbi krimin që po trondit ndërgjegjen kombëtare.
“Kuvendi nuk mund të mblidhet vetëm për të miratuar procesverbale. Akti terrorist i ekzekutimit të gjyqtarit Astrit Kalaja, alarm kombëtar për sigurinë e jetës, kjo të jetë temë e diskutimeve
Kuvendi mos mjaftohet me 1 minutë heshtje, por të shndërrojë në temë debati sigurinë e jetës.
Krimi ka marrë yrysh, shqiptarët më të pasigurtë se kurrë. Sot çdo shqiptar ndihet i kërcënuar nga krimi i organizuar dhe krimi ordiner. Vrasja e gjyqtarit, krim shumë i rëndë që trondit ndërgjegjen kombëtare. Kuvendi të debatojë për realitetin tragjik ku ndodhet vendi, ku krimi sfidon pa frikë ligjin.
E turpshme që KLGJ bën publik paralajmërimet e qeverisë për sigurinë e gjyqtarëve, vetëm pasi ndodhi vrasja e gjyqtarit”, deklaroi Blushi.
Nga ana e tij , kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi vuri theksin te nevoja urgjente për interpelancë me kryeministrin Edi Rama.
Sipas Bardhit, mosfutja e dy kërkesave për mocione në Kuvend për votim, përbën shkelje të rregullores dhe Kushtetutës.
“Keni sjellë rendin e ditës, por mungojnë dy çështje që i keni detyrim. E para, interpelanca urgjente me Kryeministrin. Kjo duhej të ishte pika e parë e rendit të ditës, dhe duke mos e përfshirë, ju keni shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
E dyta, është e vërtetë që nuk kemi gjetur konsensus për dy mocione në Konferencën e Kryetarëve. Megjithatë, Rregullorja ju detyron që kërkesat për mocionet të vijnë në Kuvend dhe të hidhen në votim.
Ju, znj. Kryetare, në mënyrë të habitshme, vazhdoni të shkelni Kushtetutën dhe Rregulloren. Keni një muaj që keni marrë besimin e mazhorancës dhe, pas kësaj, do të duhej të silleshit si Kryetare Kuvendi në respekt të Kushtetutës. Por ju nuk e bëni këtë, përkundrazi, e shkelni në mënyrë sistematike Kushtetutën”, deklaroi Bardhi./RTSH