
31 familje që janë të strehuara në godinën e ish-Shkollës së Rezervave dhe që janë në proces gjyqësor prej vitesh me familjen Shkambi, kanë folur pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në Apelin e Përgjithshëm, Tiranë.
Në një reagim për gazetarët në Shkodër, përfaqësues të këtyre familjeve thanë se familja Shkambi nuk ka asnjë dokument pronësor mbi këtë ndërtesë, ndërsa i akuzuan se kanë bërë falsifikime e manipulime.
Njëri prej tyre tha se disa kohë më parë, Gjon Shkambi, xhaxhai i vrasësit të gjyqtarit, Elvis Shkambi, ju kishte shkuar me armë dhe policia nuk e arrestoi apo të merrte ndonjë masë tjetër.
Për situatën e krijuar, ky banor për fajtor ish-kryebashkiakun e Shkodrës, Lorenc Luka, për të cilin thotë se kishte lëshuar dokument privatizimi për objektin pa vendim të këshillit bashkiak.
“Ngushëllime familjes, na ka ardhur shumë keq. Këto punë i ka bërë Lorenc Luka se i ka lëshuar vërtetim që jemi dakord të privatizohet pa vendim të këshillit të bashkisë. E ka vrarë Lorenc Luka, nuk e ka vrarë shteti, as Shkambi, e ka vrarë Lorenc Luka. Kemi bërë një gjyq, e kemi fituar, e ka kthyer Gjykata e Apelit. Ka ardhur Apeli i Vlorës e kanë gjykuar në Shkodër, jo Apeli i Shkodrës, edhe ja kanë kthyer detyrat për falsifikim dokumentesh se nuk kishte pronë dhe nuk kishte vendimin e Këshillit të Bashkisë. Kur zhvillohej gjyqi në Shkallë të Parë, e pa se po humbiste gjyqin edhe pushoi çështjen. Tani Gjon Shkambi ka ardhur vjet këtu i armatosur, ka ardhur policia, i kemi thënë e ka armën në makinë, edhe nuk e ka ‘çarë kokën’ policia të shkojë të arrestojë. Fajin e ka shteti. Nuk kanë kurrëfarë prone se e kemi marrë tokën nga Agjencia Kombëtare e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Tiranë, që Gjon Shkambi nuk ka pronë në Shkodër. Edhe është në vendim të gjykatës atje. I kanë humbur të gjitha gjyqet se nuk kanë dokumente, vetëm kanë bërë falsifikime e manipulime. Se po të kishte dokument, do ta gëzonte”.
Edhe një qytetar tjetër, banor në këtë godinë, shprehet Bashkia e Shkodrës ia kishte shitur objektin Gjon Shkambit, pasi i kishte strehuar 31 familjet. Ai bën fajtor shtetin për situatën e krijuar, teksa thekson se prej 33 vitesh janë në proces gjyqësore.
“Edhe kemi qëndruar, ka ardhur Gjon Shkambi në 2012: është ndërtesa ime, është shtëpia ime. Na ka futur nëpër gjyqe. Kemi investuar sa kemi mundur në të, kemi harxhuar para. Tani e prej kohësh na ka bërë presion është shtëpia ime, duan shtëpinë. Kemi qëndruar në tension prej 33 vitesh, fajin na e ka shteti. Bashkia që na e ka dhënë neve ka shkuar dhe ia ka shitur dhe atij. Asnjë nuk na e ka fajin vetëm bashkia. Neve na ka strehuar në të atij pastaj ia ka shitur. Të gjitha fajet i ka shteti, më zi nuk ka ku të shkojë, se për gjithë këto shtëpia nuk është dashur të vritet gjyqtari. Më parë kishim dalë në rrugë të madhe se sa të vrasësh gjyqtarin. Më mirë të na vriste ne sesa të vriste gjyqtarin pa faj. Shteti na e ka dhënë neve, shteti ia ka dhënë atij, të gjitha fajet i ka shteti”.
Kryetar i Bashkië në Shkodër në vitin 2012 kur u firmos kontrata e shitjes se godinës, ishte Lorenc Luka.
Në vendimin e sotëm të Apelit, Elvis Shkambi vrau me armë gjyqtarin Astrit Kalaja, duke e qëlluar me 3 plumba, ndërsa plagosi edhe dy persona të tjerë, babë e bir, të cilët janë pala tjetër e procesit, si një nga 31 familjet./shqiptarja