Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar dënimin me 35 vite burg për Jemin Sherën (në arrati), i dyshuar si organizator i vrasjes së Behar Sofisë. Ndaj tij rëndojnë 3 akuza, më e rënda ajo e vrasjes me paramendim si dhe pjesëmarrje në një grup kriminal.
Nga hetimet e SPAK, ka rezultuar se Shera e ka marrë porosinë për të ekzekutuar Behar Sofinë dhe për ta realizuar vrasjen, ka krijuar grupin kriminal. Pjesëtarët e grupit e kanë vëzhguar shënjestrën e tyre për gjashtë muaj më radhë deri në momentin kur e ekzekutuan mëngjesin e 25 Shkurtit të vitit 2021 në Tiranë.
SPAK shkoi drejt identifikimit të Jemin Sherës, si një nga organizatorët e kësaj ngjarje nga disa pamje të kamerave të sigurisë, ku ai qëndronte para vrasjes me shtetasin tjetër të konsideruar organizator, Skënder Vathin.
Ky i fundit po gjykohet bashkë me 3 persona të tjerë të arrestuar, të cilët ndihmuan Ernejt Shytin të kryente ekzekutimin në qendër të Tiranës, pranë Piramidës. Shyti, pas identifikimit vendosi të flasë për drejtësinë dhe tregoi se si për vrasjen e ndodhur iu premtuan 50 milionë Lekë, por që nuk arriti t’i merrte.
Në Tetor të 2023-shit, ai rrëfeu për treshen gjykuese se si kishte nisur plani për ekzekutimin e Sofisë pas kërkesës së bërë nga shtetasi Xhulio Visha, miku i tij. Viktima u ndoq për disa ditë në itinerarin e lëvizjeve që bënte dhe gjatë kësaj kohe, i riu i identifikuar nga rrobat që hodhi gjatë arratisjes, bënte prova me armën e zjarrit, pasi nuk e kishte përdorur me parë.
Ernejt Shyti gjithashtu ka treguar se të njëjtët persona të akuzuar në këtë vrasje, kishin në plan të kryenin edhe ngjarje të tjera me pagesë./tvklan