Një 31-vjeçar ka humbur jetën pas një sulmi me mjet prerës, pasditen e sotme, në rrugën “Kongresi i Lushnjes” në Tiranë. Viktima është identifikuar si Egli Pashollari.

Sipas burimeve nga vendngjarja, i riu është sulmuar menjëherë sapo ka dalë nga automjeti i tij nga tre persona, dy djem dhe një vajzë. Gjatë përplasjes fizike, njëri prej tyre dyshohet se e ka goditur të paktën një herë me thikë në kurriz.

Pashollarit i është dhënë ndihma e parë pranë një lokali dhe më pas është transportuar me makinën e tij drejt spitalit nga persona që ndodheshin në vendngjarje, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë rrugës për në spital.

Policia njoftoi se ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:40 dhe se viktima ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra me mjet prerës. Autori i dyshuar është identifikuar si Gazment Buçpapa, ndërsa janë identifikuar edhe dy persona të tjerë të përfshirë. Punohet për kapjen e tyre.

Në një njoftim zyrtar, Policia e Shtetit bëri me dije gjithashtu se rreth orës 15:50, në Rrugën e Kavajës, është plagosur me armë zjarri një 34-vjeçar, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Autorët e dyshuar janë identifikuar dhe vijon puna për ndalimin e tyre.

Grupet hetimore po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjeve dhe dokumentimin ligjor të tyre.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu