Vrasja e 15-vjeçarit Erjon Boba, i cili u plagos rëndë në zonën e Shkozetit në Durrës rreth 11 ditë më parë dhe ndërroi jetë më pas në spital si pasojë e plagëve të marra, ka sjellë reagime të forta mes të rinjve.

Gjatë ditës së sotme, një grup bashkëmoshatarësh të adoleshentit janë mbledhur në qendër të qytetit të Bulqizës, duke zhvilluar një protestë paqësore në shenjë solidariteti pas humbjes tragjike të shokut të tyre.

Me pankarta në duar, të rinjtë bënë thirrje për më shumë mbrojtje, siguri dhe vëmendje ndaj problematikave me të cilat përballen sot. Ata shprehën ndjenjën e pasigurisë që, sipas tyre, është gjithnjë e më e pranishme në përditshmëri, duke kërkuar masa konkrete jo vetëm në institucione arsimore, por edhe në komunitet.

“Ne ndihemi të pasigurt. Kërkojmë më shumë siguri dhe mbështetje reale,” ishte mesazhi përcjellës i protestës.

Të rinjtë kërkuan nga institucionet shtetërore masa më të forta për parandalimin e konflikteve, rritjen e kujdesit institucional, ofrimin e mbështetjes psikologjike dhe krijimin e hapësirave ku të rinjtë të mund të shprehen dhe të kërkojnë ndihmë pa frikë.

Protesta u zhvillua qetësisht dhe u kthye në një thirrje të fortë për reflektim dhe ndryshim. Në fund, pjesëmarrësit shprehën solidaritetin e tyre me familjen e viktimës dhe kërkuan që ngjarje të tilla të rënda të mos përsëriten më.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu