Rreth 20 persona janë marrë në pyetje për atentatin me 3 të vrarë dhe 1 të plagosur në Shkodër. Mes tyre edhe Safet Bajri, i cili ka mohuar të ketë lidhje me ekzekutimin e Hamza Licit dhe Arlind Bushatit. Katër dyshohet të kenë qenë autorët, dy qitës dhe shoferi, si edhe një person që i ndihmoi të largohen pas djegies së makinës. Bajri tha se ishte në banesë me familjen
Policia e Shkodrës është rikthyer sërish në skenën e krimit ku një ditë më parë, 30 tetor, u vranë në një atentat mafioz Hamza Lici, Arlind Bushati dhe një kalimtare e rastit, Flutura Basha. Deri tani, Policia e Shkodrës ka sekuestruar kamerat e sigurisë, ndërkohë që ka marrë në vëzhgim edhe automjetin e djegur në fshatin Golem.
Policia e Shkodrës dyshon se në makinë kanë qenë 3 persona, kjo pasi u gjetën 3 pistoleta. Personi i 3-të, mund t’i ketë shpëtuar atentatit dhe është larguar. Policia ka gjetur gjumë gjaku të cilat janë dërguar për ekspertim në laboratorin kriminalistik.
Vrasës me pagesë, në moshe të re, ardhur nga Mali i Zi dyshohet se ekzekutuan Licin e Bushatin. Sipas hetuesve, dy janë qitës, i treti shofer dhe një i katërt mendohet se i priti në rrethina, ku vrasësit u arratisën pasi dogjën makinën “Range Rover”. Pista kryesore është ajo e hakmarrjes mes bandave, pasi njihet armiqësia disa vjeçare mes Liceve dhe Bajrave.
24-orë pas krimit, Policia e Shkodrës nuk ka identifikuar atentatorët dhe as porositësit. Rreth 20 persona u morën në pyetje dhe me pas u lanë të lirë, mes tyre Safet Bajri. Në deklarime para hetuesve Bajri pretendoi se në kohën e atentatit ka qenë me familjen në shtëpi, e cila mund të vërtetohet nga kamerat e sigurisë që e survejojnë 24 orë. As dëshmitaret në vendngjarje nuk ndihmuan grupin hetimor në zbardhjen e detajeve.
Burimet thanë se makina e viktimave tip “Mercedes Benz S Class” rezulton se ka hyrë pak ditë më parë në Shqipëri nga Mali i Zi, ndërsa është parë duke lëvizur në Dobraç, disa ditë para se Lici e Bushatit të binin në pritë. Ndërsa makina e atentatorëve u gjet plotësisht e shkrumbuar, aq sa hetuesit nuk mund të lexojnë numrin e shasisë dhe targat. Megjithatë, po ekspertohet, me shpresën se mund të rikuperohet ndonjë e dhënë me rëndësi.
Në vendngjarje, një ditë pas masakrës, policia po has vështirësi në sigurimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë. Në zonën e Dobraçit ka pak kamera sigurie në rrugë apo biznese, një pjesë e tyre të koduara.
Makina e viktimave, e cila drejtohej nga 23-vjecari Hamza Lici dhe pasagjer Arlind Bushati 32-vjeë, po lëvizte në zonën që konsiderohet “bastion” i fisit të Bajrave në Dobraç. Atentatorët i dolën paralel në të majtë dhe nisën breshërinë e plumbave, e cila rezultoi fatale për ta.
Arlind Bushati u kundërpërgjigj me zjarr, por pa mundur të mbrohet. Breshëria e plumbave ka vijuar për dhjetëra metra në lëvizje, derisa makina e viktimave humbi kontrollin, përplasi motoçikletën e bashkëshortëve Basha dhe përfundoi në murin rrethues të një servisi. 56-vjeçarja Flutura Basha mbeti viktimë e pafajshme ndërsa i shoqi, Bashkim Basha 67 vjeç është në gjendje të rëndë.
Në makinën e viktimave, policia gjeti tre pistoleta, njëra e Bushatit, gëzhoja të së cilës u gjetën brenda, tjetra e Licit, pranë këmbëve dhe një e tretë në kroskot që dyshohet se i përket personit që u arratis. Ndërsa në makinën e djegur të autorëve u gjetën 2 automatikë, të njëjtët që u përdorën në atentat.
Viktimat e atentatit në Shkodër 30 tetor 2024
Të vrarë
Hamza Lici – Vëllai i Ibrahim Licit – 23 vjeç
Flutura Basha – qytetare, po levizte me motor me burrin – 66 vjeçe
Arlind Bushati – Djali i Xhemal Bushatit – 32 vjeç – Vdiq pas disa orësh në spital
I plagosur rëndë
Bashkim Basha – bashkëshorti i Fluturës – 67 vjeç /shqiptarja