
Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, pasi ka dhënë votën e tij në Qendrën e Votimit në Shkollën “Faik Konica”, në Prishtinë, u ka bërë thirrje qytetarëve që të bëhen pjesë procesit e të vendosin për fatin e tyre për katër vitet e ardhshme.
“Është ditë e mirë, ditë e bukur, ditë e demokracisë, dhe në këtë ditë të demokracisë i ftoj të gjithë qytetarët që të marrin pjesë masivisht në vendosjen e fatit të tyre dhe të Republikës së Kosovës, për katër vitet e ardhshme. Njëkohësisht i uroj gjithë votuesit që për herë të parë japin votën për të ardhmen e Republikës. Është ditë feste për ne, për popullin e Kosovës. Zgjedhjet gjithmonë janë festë dhe në këtë ditë i trajtojmë si të tilla, dhe le të shpresojmë e le të angazhohemi për një ditë demokratike ku vullneti qytetar merr epilog të mbarë e të mirë”, tha Abdixhiku.