
Kryeministri aktual, Albin Kurti, që sërish është kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për këtë post, ka votuar për zgjedhjet parlamentare në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë.
Ai inkurajoi çdo qytetar të Kosovës që të ushtrojë të drejtën demokratike të votës për të bërë zërin e tyre të dëgjohet në 4 vitet e ardhshme.
“Ushtrojeni të drejtën tuaj demokratike për ta bërë zërin tuaj që të dëgjohet. Përdoreni shansin e lirisë për të vendosur për katër vjetët e ardhshëm”, tha Kurti.
View this post on Instagram
Kandidatët e tjerë për kryeministër në këto zgjedhje janë: Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
28 subjekte politike me 1.280 kandidatë, konkurrojnë për mbështetjen e rreth dy milionë votuesve për të siguruar ulëse në parlamentin 120 vendesh të Kosovës në zgjedhjet e sotme parlamentare. Njëzet nga këto vende u takojnë pakicave kombëtare nga të cilat dhjetë janë për komunitetin serb, nga radhët e të cilit konkurrojnë gjashtë subjekte politike.
Mbi 940 qendra votimi do të jenë të hapura nga ora shtatë e mëngjesit deri në orën 19:00, ndërsa mbi 100 të dërguar të Bashkimit Evropian dhe 18 nga Këshilli i Evropës do t’u bashkohen vëzhguesve të tjerë vendas e ndërkombëtarë që do të ndjekin nga afër procesin e votimeve.