
Tiranë, 19 maj 2025 – Disa kandidatë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit duket se nuk po e pranojnë lehtë humbjen. Ndërsa votat janë numëruar dhe rezultatet janë shpallur, një pjesë e tyre janë vërsulur me kërkesa drejt Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me pretendimin se “u janë vjedhur votat” dhe kërkojnë pamje filmike që, sipas tyre, do të zbulojnë “të vërtetën”.
Frrok Gjini: Ku janë votat që më dhanë njerëzit?
Frrok Gjini, kandidat në Qarkun Shkodër, është ndër të parët që ka ngritur zërin. Në një kërkesë drejtuar z. Celibashi, ai thotë se ka dyshime të arsyeshme se votat e tij “kanë marrë tjetër rrugë” gjatë numërimit. Ai kërkon urgjentisht pamjet filmike, me shpresën se diku në ndonjë kuti do të gjejë dëshminë që i mungon për të bindur publikun (dhe veten) se “fituesi real” ka qenë ai.
Xhemal Qefalia: Nuk ka gjë të keqe në një kontroll kamerash… për çdo rast
Nga ana tjetër, kandidati socialist Xhemal Qefalia është më diplomatik në formë, por jo më pak i dyshimtë në përmbajtje. Ai kërkon të gjitha pamjet filmike të numërimit për një tufë ZAZ-ësh në Tiranë. Qëllimi? “Identifikimi i ndonjë parregullsie të mundshme”. Edhe pse e thekson se i paguan vetë kostot, duket se nuk do të qetësohet pa parë çdo sekondë filmim – se mos ndonjë votë i ka ikur nga dora gjatë rrugës.
Ilir Alimehmeti: Tabela, filmime, USB – ku janë?
Kandidati i koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, Ilir Alimehmeti, ka dorëzuar një listë të gjatë kërkesash. Ai do pamje filmike, tabela përmbledhëse, rezultate për kandidatët, në USB, DVD apo edhe me link – vetëm të vijnë! Ai duket i vendosur për të provuar se “fitorja i është mohuar”, ndonëse ndonjë e dhënë konkrete mungon në kërkesën e tij.
Gjylameti “për verifikim”, jo për dramë
Deputetja socialiste Blerina Gjylameti ka bërë një kërkesë më formale, duke u fshehur pas neneve të Kodit Zgjedhor dhe vendimeve të KQZ-së. Ajo thotë se kërkon pamjet vetëm për verifikim. Pra, nuk ka pretendime për vjedhje – thjesht një “kontroll i kujdesshëm” për të qenë e sigurt që gjithçka ka shkuar siç duhet. Thjesht për qetësi shpirtërore, mesa duket.
Shehu në Tropojë: Dyshime dhe letra me dorë
Kandidati demokrat në Kukës, Shkëlqim Shehu, ka depozituar një kërkesë me shkrim dore (po, me dorë) për pamje filmike dhe procesverbale në KZAZ-në nr.08, Tropojë. Ai flet për “parregullsi” dhe kërkon çdo dokument të mundshëm, sikur të përgatitet për një hetim penal. Edhe ai, si kolegët e tjerë, beson se diku, në ndonjë kuti votimi të largët, fshihet e vërteta e madhe që do t’ia ndryshojë fatin politik.
Ndërkohë, KQZ vijon të heshtë ndaj këtij “procesi auditimi nga humbësit”, ndërsa fitorja e vërtetë e këtij muaji mbetet transparenca… dhe ndoshta pak komedi zgjedhore./AIA.AL