
Në një shkresë të gjatë, drejtuar shoqatës “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ju ka dhënë përgjigje disa prej shqetësimeve më të mëdha për votën e emigrantëve, mbi të cilat edhe PD ngre akuza të forta.
Kompania postare garanton se nuk i ka dhënë askujt fletën e votimit, pa e firmosur vetë zgjedhësi personalisht.
“Kompania DHL siguron se dërgesat janë procesuar në përputhje me procedurat standarde të cilat përfshijnë Direct Signature (firmosje të personit marrës) në dorëzim. DHL International Albania shpk konfirmon se ka zbatuar protokollin e dorëzimit për shpërndarjen dhe mbledhjen e zarfave, veçanërisht në shtete me përqindje të lartë të votuesve si rasti i Greqisë, pohon se disponon POD (provën e dorëzimit) për dërgesat e dorëzuara”.
KQZ konfirmon se kompania DHL ka vënë në dispozicion të institucionit të gjitha të dhënat përkatëse, në formatin USB dhe këto të dhëna tashmë janë në duart e PD.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se aktualisht ka në dispozicion mostrat e kontrollit të nevojshme për të vijuar me verifikimin e nënshkrimeve të personave marrës në dorëzim. Me vendim të KAS këtë dokumentacion ja ka vënë në dispozicion subjektit ankues PD-ASHM”.
Në këtë fazë, Celibashi përjashton mundësinë që fletët e votimit të kenë përfunduar në duar të tjera, e të mos jenë marrë ekskluzivisht nga zgjedhësi.
“Aktualisht, procesi ndodhet në fazën e verifikimit të nënshkrimeve të personit/personave marrës në dorëzim. Deri në këtë moment, nuk është evidentuar apo denoncuar ndonjë rast konkret në KQZ që ngre dyshime për tejkalim të numrit të lejuar të zarfeve në raport me anëtarët e familjes votues. Çdo informacion i tillë, nëse paraqitet, do të trajtohet përmes procedurave të parashikuara për verifikim dhe hetim të pavarur”.
Në Greqi, DHL nuk e kreu vetë të gjithë shpërdarjen e fletëve të votimit, por pajtoi edhe Speedex dhe Courier Center, fakt i cili u konfirmuar edhe nga ambasada jonë në Greqi. KQZ thotë se kjo është në shkelje të kontratës.
“Në bazë të indicieve që një pjesë e shërbimeve, përfshirë shërbimet postare të përfshira në procesin zgjedhor, mund të jenë kontraktuar në mënyrë të pautorizuar…Komisioni Qendror i Zgjedhjeve …, referuar termave të kontratës është vendosur jo nga ana e autoritetit kontraktor/KQZ. Pra nuk është lejuar nënkontraktimi”.
Duke filluar nga data 12 Maj, ka nisur kthimi zarfeve të padorëzuara, e deri më tani rezultojnë mbi 15 mijë të tillë, kryesisht për shkak të adresave të pasakta, apo numrave të telefonëve dhe emaileve jo funksionale./Shqiptarja.com