Vota e Diasporës, Celibashi i shkruan 9 partive në Kuvend: Ndryshoni
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkon ndryshimin e Kodit Zgjedhor për ankimimin e zgjedhësve jashtë vendit, (Diasporës), në Gjykata për t’u përfshirë në listat e zgjedhësve, sepse koha që parashikohet aktualisht e pamundëson procesin dhe i heq të drejtën emigrantëve.

Kryetari Ilirjan Celibashi i është drejtuar 9 partive parlamentare në Kuvend që të marrin parasysh kërkesën, teksa ia ka dërguar edhe kryeparlamentares Elisa Spiropali ndryshimin që kërkohet, ku nga 7 ditë para zgjedhjeve si afat për ankimimin, në rastin e emigrantëve të bëhet të paktën 30 ditë para zgjedhjeve, në mënyrë që vota me postë të dërgohet dhe të kthehet.

Aktualisht Neni 25, Pika 8 e Kodit Zgjedhor parashikon se zgjedhësi ka të drejtë ankimimi deri 7 ditë para datës së votimit për ankimim në Gjykatat e Rrethit për t’u përfshirë në listat e votimit nëse nuk është.

Në këtë mënyrë kjo pikë duhet ndryshuar dhe të bëhet deri në 30 ditë, teksa 48 orë i parashikon ligji për marrjen e vendimit nga Gjykata që prej momentit të dorëzimit të ankimimit nga zgjedhësi. Sipas Celibashit, koha 28 ditore e mbetur është e mjaftueshme që zarfi me postë të shkojë dhe të kthehet në kohë dhe ligji të mos shkelet.

“Nga momenti që Gjykata merr vendimin mbeten vetëm 5 ditë për t’i dërguar atij fletën e votimit dhe për kthimin në KQZ”, shkruan mes të tjerash Celibashi.

Më tej ai shpjegon se: “Ky ndryshim do i siguronte zgjedhësit nga jashtë mundësinë reale pavarësisht distancës gjeografike dhe kohore, që të ushtrojë të drejtën për të votuar, përmes një procesi të aksesueshëm”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu