Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, jep detaje për turin e takimeve në Greqi dhe Itali të Kryeministrit Edi Rama.

Në një ndërhyrje në rubrikën “Sy më Sy”, Balla tha se ndalesa e parë do të jetë Hania, një qytet me një komunitet shqiptar të konsiderueshëm në perëndim të Kretës, ishullit ku jetojnë rreth 35 mijë-40 mijë shqiptarë.

“Ndërsa në Hania jetojnë diku 10 mijë deri 14 mijë shqiptarë të cilët janë shumë të integruar. Ajo që kam vënë re edhe nga biseda me përfaqësuesit e qeverisjes vendore të Hanias, më vjen mirë të konstatoj që shqiptarët janë shumë mirë të përfaqësuar edhe në organet e qeverisjes vendore dhe bashkëpunimin me ta.”

Takimi në Hania do të zhvillohet në një pallat sporti dhe do të marrin pjesë një komunitet i madh edhe nga zona përreth deri dhe nga Heraklium.

“Do të takojmë përfaqësues të shoqatave atje pa dallim të majtë të djathtë, sepse është një vizitë historike dhe për herë të parë një kryeministër shqiptar shkon t’i takojë. Në datë 29 pasdite, ora 18:00.” tha Balla.

Turi në Greqi do të vazhdojë ditën tjetër në Athinë në takim me bashkatdhetarët që jetojnë në kryeqytetin grek.

“Pasditen e së dielës do të kemi edhe një takim tjetër me bashkatdhetarët në Athinë, ku duhet ta themi se Greqia është e dyta pas Italisë me numrin e bashkatdhetarëve të regjistruar për të dhënë votën e tyre më 11 maj. Edhe takimi i Athinës do të jetë i madh me përfaqësues jo vetëm nga Athina, por dhe nga zona përreth në Atiki.” deklaroi Balla.

Balla dha detaje dhe për turneun në Itali që do të vazhdojë dy javë më pas.

“Kemi përzgjedhur një pikë afër Milanos, sepse është një pikë që i bashkon të gjithë dhe mund të marrin pjesë nga e gjithë Italia, por mos harrojmë që pjesa më e madhe e bashkatdhetarëve në Itali jetojnë në pjesën e veriut.”

Fletëvotimet e para për diasporën pritet të mbërrijnë brenda 10-ditëshit të parë të prillit.

“Pritshmëria ime është që diku nga data 7-8-9 prill të mbërrijnë zarfet e para diku në destinacione pak më të afërta dhe deri në mes të prillit të kenë mbërritur edhe në pjesë të tjera të botës ku jetojnë shqiptarë. Mos harroni, janë 120 shtete ku jetojnë bashkatdhetarët, deri në Antigua, Iran,” njoftoi Balla në rubrikën “Sy më Sy” të kryeministrit Rama.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu