Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla i shpjegoi Kryeministrit Edi Rama në “Sy më Sy” ecurinë e procesit të regjistrimit të votuesve nga jashtë deri tani.

“Tanimë nuk ka asnjë pengesë sa i përket realizimit me sukses të votimit të bashkatdhetarëve. Kështu që, deri në 4 mars kanë kohë edhe dy javë që të marrin pjesë, të regjistrohen. Unë e shoh si shumë pozitive le të themi interesimin e bashkatdhetarëve edhe pse një pjesë thonë që po shiko se janë pak. Nuk janë aspak pak, përkundrazi. Duhet të kuptojmë që është hera e parë dhe natyrshëm nuk qe një kohë e mjaftueshme për t’i shpjeguar procesin sepse jo të gjithë e njohin si duhet procesin e regjistrimit, por besoj se këto dy javë do të ketë një numër të konsiderueshëm që do vazhdojnë të regjistrohen dhe ka dhe një fakt që është një fakt i bukur që duhet ta themi. Që numri i madh i shteteve nga të cilët shqiptarët janë regjistruar, po t’i hidhni një sy shteteve nga të cilat janë regjistruar pothuajse në çdo cep të botës janë regjistruar bashkatdhetarët,” deklaroi ministri Balla.

Duke bashkëbiseduar me ministrin, kryeministri vuri theksin te fakti se akoma ka njerëz që nuk e dinë dhe u interesua se a po bën KQZ-ja mjaftueshëm publicitet.

“Ajo që unë do t’i kërkoja KQZ është që duke pasur parasysh numrin e madh të aplikimeve të cilat janë refuzuar për shkaqe që natyrshëm qëndrojnë në bazë të parashikimit që ka ligji, do duhet që të bëjnë më shumë publicitet dhe shpjegim të procesit. Madje edhe me persona, të cilëve iu është refuzuar, duhet të ketë një asistencë ndaj tyre sepse e vërteta është që bashkatdhetari ka shprehur interes. Pra ai është munduar ta bëjë këtë detyrë ndaj atdheut, por nuk ka arritur dot për shkaqe se nuk e ka kuptuar mirë ose le të themi ka nevojë për një lloj shpjegimi më të detajuar,” tha Balla.

Kryeministri u ndal te ndryshimet e Kodit Zgjedhor që u miratuan të hënën në kuvend, të cilat do të mundësojnë pagesën e postës së kthimit të fletëvotimit nga qeveria.

“Domethënë, kjo e djeshmja, e fiksoi që e para të gjitha shpenzimet e votimit me postë i merr qeveria, që do të thotë zarfi shkon i paguar dhe kthehet i paguar. E dyta, deri në 4 Mars të gjithë duhet të regjistrohen në platformën e KQZ ata që duan të votojnë se në 4 Mars mbyllet afati i regjistrimeve,” tha Rama.

Balla i shtjelloi kryeministrit argumentet se si vota e djeshme në kuvend do të lehtësojë procesin e votimit më 11 maj nga diaspora.

“Vendimi i kuvendit i dha mundësi dhe 10 ditë të tjera KQZ-së për procesin e dërgimit sepse regjistrimi i partive politike dhe i koalicioneve dhe kandidatëve u spostua. Partitë politike, kandidatët janë të detyruar t’i çojnë 60 ditë para, jo 50 ditë sa ishte dhe kjo i jep më shumë kohë KQZ që të përgatisë fletën e votimit, tua dërgojë bashkatdhetarëve dhe po ashtu tua kthejë,” tha Balla.

Deri këtë të martë janë regjistruar për të votuar nga jashtë mbi 148 mijë zgjedhës shqiptarë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu