
TIRANË – Në Samitin e Komunitetit Politik Evropian të mbajtur në Tiranë, liderët më të lartë të Bashkimit Evropian përcollën një qëndrim të qartë dhe të prerë përballë agresionit rus në Ukrainë: mbështetja për Kievin është e palëkundur dhe paqja nuk mund të vijë pa investime serioze në mbrojtje dhe unitet politik brenda Evropës.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, në fjalën e tij drejtuar presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, theksoi se siguria e Ukrainës është e pandashme nga siguria e vetë kontinentit. “E dimë, i dashur Volodymyr, se siguria juaj është siguria jonë. Europa duhet të jetë e bashkuar për të sjellë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën,” u shpreh Costa. Ai shtoi se për të garantuar një paqe të tillë, është jetike që Europa të investojë më shumë në sektorin e mbrojtjes, duke theksuar se “paqja pa mbrojtje është një iluzion”.
Në të njëjtën linjë ishte edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila deklaroi se “Europa është zgjuar, i ka sytë hapur dhe nuk do të rrijë duarkryq”. Ajo nënvizoi se përballë krizave të njëpasnjëshme si pandemia, kriza energjetike, ndryshimet klimatike dhe tani lufta në Ukrainë, Bashkimi Evropian ka treguar aftësinë për të qëndruar i bashkuar dhe për të dalë më i fortë.
“Nevoja për një thirrje për Evropën që të zgjohet është artikuluar shumë herë. Sot, mund të themi me bindje se Evropa është zgjuar. Në këtë pikë kthese të historisë, Evropa ka treguar vendosmëri dhe ka qëndruar e bashkuar në mbështetje të Ukrainës,” tha Von der Leyen. Sipas saj, ruajtja e sovranitetit të Ukrainës dhe gjetja e një zgjidhjeje paqësore me garanci të forta janë qëllime që kërkojnë jo vetëm solidaritet, por edhe veprime konkrete nga të gjitha shtetet anëtare.
Të dy liderët theksuan se rruga drejt paqes nuk është e lehtë, por duhet ndjekur me vendosmëri, duke ruajtur bashkimin evropian dhe duke përfshirë të gjithë partnerët ndërkombëtarë në përpjekjet për stabilitet. Në fund të fjalimeve të tyre, mesazhi ishte i qartë: Evropa nuk do të tërhiqet dhe nuk do të lërë Ukrainën vetëm në këtë betejë.