Nga Ilirian Agolli
Anija me mbetjet e dyshuara si të rrezikshme, që u kthyen në Shqipëri nga Singapori, po qëndron në det prej 4 ditësh rreth 1 kilometër larg Portit të Durrësit, ndërsa Autoriteti Portual ende nuk ka lejuar hyrjen e tyre në port. Prokuroria sekuestroi të hënën ngarkesën me 102 konteinerë, në vazhdën e hetimeve të nisura dy muaj më parë, ndërsa anëtarë të qeverisë pohuan sot në Kuvend, se po përgatiten vendi dhe infrastruktura e duhur për shkarkimin dhe ruajtjen e sigurt të tyre. Mbetjet u kthyen në vendin e origjinës pas 4 muajsh, ndërsa Rrjeti i Aksionit të Bazelit BAN ngriti alarmin për lëndën, që sipas tij, përmbante pluhur helmues nga oxhaqet e fabrikave metalurgjike.
Edhe pse zyrtarisht me ngarkesën e sekuestruar nga prokuroria prej rreth 4 ditësh, anija me 102 konteinerët e kthyer në Shqipëri të hënën nga Singapori, që solli në vendin e origjinës mbetjet e dyshuara si pluhur helmues nga oxhaqet e fabrikave metalurgjike, po qëndron një kilometër në afërsi të Portit të Durrësit, ndërsa Autoriteti Portual ende nuk lejon hyrjen e saj në port.
Sapo ngarkesa mbërriti me anijen turke Moliva nga Italia, pas disa javë udhëtim, pranë portit më të madh të Shqipërisë aty nga ishte nisur, prokuroria ka urdhëruar që konteinerët të mos hapen dhe të ruhen në një vend të sigurtë nga pikëpamja mjedisore e fizike dhe të vëzhgohen me kamera pa ndërprerë.
Prokuroria, e cila ka nisur prej dy muajsh hetime mbi këtë çështje nën dyshimet për “kontrabandë me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “ndotje të ajrit përmes çlirimit të tymrave, gazrave dhe lëndëve të tjera toksike radioaktive, si dhe “shpërdorim detyre të funksionarit publik”, ka urdhëruar katër ditë më parë Autoritetin Portual, Kapitenerinë, Doganën dhe Drejtorinë e Kufirit Policinë dhe Hetimin Doganor për të sekuestruar si provë materiale konteinerët me qëllim kryerjen e ekspertimeve përkatëse.
Ndërkaq prej burimesh nga Autoriteti Portual është bërë me dije për shtypin se ende nuk mund të lejojë hyrjen në port për këto mbetje, të cilat kërkojnë sipas urdhërit të prokurorisë kushte të veçanta sigurie, si dhe vëzhgimin e pandërprerë me kamera, pa u siguruar një hapësirë e përshtatshme.
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Hoxha, në përgjigje të kërkesave të disa deputetëve të opozitës, pohoi në Kuvend se urdhëri i prokurorisë që doli të dielën, është i ekzekutueshëm dhe të gjithë institucionet e ngarkuara po koordinohen mbi infrastrukturën përkatëse për konteinerët.
“Në bashkëpunim me doganën, policinë e shtetit dhe të gjithë agjencitë ligjzbatuese po krijohet infrastruktura e përshtatshme e vendosjes konform ligjit të këtyre konteinerëve në hapësirat publike, të cilat do të kontrollohen e monitorohen nga policia. Janë mbi 102 kontejnerë, të cilët kërkojnë infrastrukturë të përshtatshme dhe nuk janë disa kuti kartoni, të cilat ne mund t’i fshehim apo t’i futim diku. Këto konteinerë do të vendosen në një hapësirë, e cila do të monitorohet me punonjës policie”, tha ministri Hoxha.
Por deputeti i opozitës Agron Shehaj, tha se ky skandal përfshin një numër të madh zyrtarësh të lartë socialistë, ministra dhe ish ministra dhe tashmë i përket prokurorisë, e cila nuk duhet penguar prej tyre në këto hetime.
“Kjo gjë nuk iu takon më atyre. Ata nuk mund të japim më informacion të besueshëm, sepse do të mbrojnë veten duke gënjyer. Ne sot presim të vërtetën nga prokuroria. Presim që ata të të pengojnë prokurorinë. Ata lejuan që 102 konteinerë të trafikoheshin nga porti i Durrësit, lejuan trafikimin e mbetjeve përmes një skeme përmes Kroacisë deri në Tajlandë. Prej tyre nuk pritet më informacion, por që ata të mos pengojnë prokurorinë”, tha zoti Shehaj.
Ndërsa ministri i Shtetit për marrëdhëniet me Kuvendin, Taulant Balla, foli për bashkëpunimin e ngushtë të disa institucioneve, që caktimin e një vendi sa më të përshtatshëm, madje përmendi konkret ku ka nisur puna.
“Urdhri i prokurorisë iu është dhënë autoriteteve përkatëse, mes tyre, krahas policisë, doganës, Autoritetit Portual, përfshihen edhe institucionet e varësisë së ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, të cilë së bashku kanë për detyrë gjatë zbatimit të urdhërit, të identifikojnë vendin ku do të vendosen (konteinerët) dhe aty po punohet për t’u bërë gati vendi për të mos patur asnjë problematikë me rrjedhje, ndotje etj., dhe deputetët të opozitës do të jenë të ftuar të shkojnë dhe t’i numërojnë”, tha zoti Balla.
Deputetja e opozitës Flutura Açka bëri thirrje që “prokuroria të veprojë sa më shpejt për të shmangur manipulimet e mundshme me ngarkesën”, ndërsa theksoi se si deputete e Elbasanit sillte në Kuvend “shqetësimin e qytetit më të ndotur të Shqipërisë prej industrisë metalurgjike”.
Firma eksportuese Sokolaj dyshohet se nuk i ka deklaruar në dokumenta si “mbetje të rrezikshme” pluhurat e oxhaqeve të fabrikave metalurgjike dhe i ka shkarkuar në një mjedis të hapur në portin e Durrësit, e duke i eksportuar më pas jashtë Shqipërisë.
Rrjeti i Aksionit të Bazelit BAN ka shprehur dyshime se transporte të tilla janë kryer periodikisht nga ky port.
Konteinerët u nisën nga Durrësi më 4 korrik drejt Tajlandës, e cila refuzoi ngarkesën pas alarmit, që dha organizata joqeveritare “Rrjeti i Aksionit të Bazelit BAN”, e cila kishte përfaqësues të saj në Durrës të hënën e kaluar, pra ditën që ato u kthyen aty nga u nisën. BAN-i u bëri thirrje autoriteteve shqiptare për transparencë, për të hapur publikisht konteinerët dhe për analiza të mostrave nga disa grupe të pavarura në laboratorë të ndryshëm.
Organizata shprehu sigurinë pothuajse të plotë që kjo ngarkesë me burim nga metalurgjia e Elbasanit përmban mbetje metalore të rrezikshme pertej niveleve të lejuara, krahas gatishmërisë që të ndihmojë Shqipërinë nga afër për trajtimin e kësaj çështje të ndjeshme.
Qeveria shqiptare ka deklaruar se është për realizimin e analizave shteruese dhe provave ligjore të besueshme dhe të verifikueshme”, duke lënë mënjanë hamendësime dhe spekullimeve.
Hetime për ngjarjen po kryen edhe zyra e Bashkimit Europian kundër Mashtrimeve, OLAF me qendër në Bruksel, krahas prokurorisë së qytetit bregdetar./voa