Kandidati i Partisë Socialiste Vangjel Tavo fitoi garën për kryetar të Bashkisë së Himarës pas zgjedhjeve të pjeshme vendore, që u zhvilluan të dielën me rreth 1500 vota më shumë se rivali i tij Petraq Gjikuria.
Rezultati është dukshëm më i lartë se zgjedhjet vendore të një viti më parë kur kandidati i koalicionit opozitar Fredi Beleri fitoi me një diferencë të ngushtë prej 19 votash, ndaj rivalit të tij, Jorgo Goro.
Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pas numërimit të votave të 36 qendrave të votimit Vangjel Tavo mori 5022 vota (58,62%) kundrejt 3545 votave (41,38%) të Petraq Gjirkuria, kandidat i koalicionit opozitar “Bashkë fitojmë”.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale zoti Tavo vlerësoi votën e zgjedhësve dhe ftoi rivalin e tij të pranojë detyrën e nënkryetarit të bashkisë.
“Jo më si kandidat, por tashmë zyrtarisht si kryetar i bashkisë Himarë, unë e ftoj zotin Petro Gjikuria të pranojë detyrën e nënkryetarit të bashkisë. Jam i vetëdijshëm që kjo është e paprecedent në historinë zgjedhore të tre dekadave të fundit, ndaj pikërisht për këtë arsye, e nis unë i pari me shembullin konkret të bashkëpunimit dhe bashkimit që meriton kjo bashki”, tha zoti Tavo.
Zoti Gjikuria nuk ka bërë ende asnjë koment për rezultatin, i cili u duk gjatë gjithë procesit të numërimit. Ai vetë nuk priti përfundimin e tij, po u largua më herët nga mjediset ku po numëroheshin votat.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi si “spektakolare fitoren e kryebashkiakut të ri të Himarës” dhe “domethënëse mbështetjen për Partinë Socialiste”. Ai ftoi emigrantët të kthehen në vendlindje për paga më të mira në industrinë turistike.
Një nga problemet më të mëdha që u shfaq në votimet e së dielës në Himarë ishte se rreth gjashtë mijë zgjedhës rezultonin me karta identiteti të skaduara, një shifër kjo më e madhe se votat e fituesit dhe 4 herë më e madhe se diferenca mes kandidatëve
Por jo të gjithë e kanë pasur të pamundur të votojnë pasi mund të ketë mes tyre zgjedhës me pasaporta të vlefshme. Po kështu ligji lejon që të gjithë personat mbi 75 vjeç pajisen me kartë identiteti me afat 50 vjeçar.
Ndryshe nga zgjedhjet e shkuara vendore kur vlefshmëria e kartave të skaduara u shty në shkallë kombëtare në zgjedhjet e 4 gushtit, në Himarë zgjedhësit nuk u lejuan të votojnë. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirian Celibashi u tha dje gazetarëve në një konferencë shtypi në Himarë se “janë rreth 6 mijë votues, të cilët dokumenti ose u ka skaduar ose u skadon deri ditën e sotme. Gati po e njëjta shifër ka qenë edhe në zgjedhjet e kaluara”, tha zoti Celibashi duke shpjeguar se “shtyrja e afatit të kartave është vendim-marje që nuk i përket KQZ-së por ministrisë së Brendshme, e cila duhet të ishte vënë në lëvizje nga partitë politike ose zgjedhësit. KQZ ka bërë komunikim kur ka pasur kërkesë nga partitë politike, por në këto zgjedhje, sipas tij, nuk kishte komunikim zyrtar”.
Lidhur me problematikat me kartat e identitetit të skaduara ku zgjedhësit nuk u lejuan të votojnë, kandidati socialist Vangjel Tavo tha se “kjo nuk është çështja ime, mbi ligjin nuk mund të dalë njeri”.
Ndërsa kandidati i kolicionit “Bashkë fitojmë“ Petraq Gjikuria tha se “vitin e kaluar u lanë njerëzit të votojnë me karta identiteti të skaduara ndërsa këtë vit nuk u lejuan dhe ky është problem, pasi socialistëve u jepnin karta për 24 orë, ndërsa palës tjetër i thonin se duhet të prisnin dy javë”.
Ish-ministri i Brendshëm, Taulant Balla, në një komunikim më datën 22 Korrik të këtij viti nga zyrat e kompanisë së lëshimit të dokumenteve të identitetit “IdentiTek” , u bëri thirrje banorëve të Himarës të aplikojnë për pajisjen me kartat e identitetit duke urdhëruar mbajtjen hapur edhe në ditët e pushimit në fundjavë të zyrave të aplikimit dhe realizimin e prodhimit të kartës së re brenda 48 orësh.
Zgjedhjet e pjeshme në Himarë erdhën pasi kryetari i zgjedhur Fredi Beleri nuk arriti ta merrte mandatin pasi u arrestua një ditë para votimeve dhe u dënua nga gjykatat shqiptare me dy vite burgim për korrupsion aktiv në zgjedhje.
Bashkia e Himarës u drejtua pas zgjedhjeve vendore nga kryetari në detyrë Jorgo Goro, i cili u arrestua nga Prokuroria e Posacme nën dyshimet se përmes dokumentave të falsifikuar ka lejuar rregjistrimin e parregullt të dy pasurive të patundshme .
Më pas bashkia e Himarës u drejtua nga dy kryetarë të komanduar nga Këshilli Bashkiak, Blerina Bala, e cila dha dorëheqjen dhe Arqile Bollano, i cili është gjithashtu në hetim nga Prokuroria e Posaçme për një çështje pronash.
Zgjedhjet e pjeshme në Himarë u zhvilluan në një klimë të ftohtë mes Tiranës dhe Athinës zyrtare që buroi pas arrestimit dhe dënimit të ish kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.
Fillimisht Athina kërkoi lirimin e tij, duke pretenduar shkelje të të drejtave të minoritetit. Më pas foli për shkelje të të drejtave politike, duke këmbëngulur që zotit Beleri duhej t’i jepej e drejta për të bërë betimin.
Kërkesat e kryebashkiakut të zgjedhur, për t’i mundësuar atij këtë gjë, u hodhën poshtë nga gjykatat shqiptare, ndërkohë që autoritetet e vendit i janë përmbajtur qëndrimit se çështja i përket drejtësisë, dhe ata nuk mund të ndërhyjnë.
Partia “Demokracia e re” në Greqi e përfshiu Fredi Belerin më pas në listën e eurodeputetëve, ku ai fitoi si përfaqësues i Greqisë dhe u lejua nga autoritetet shqiptare të merrte pjesë në seancën e parë të kostituimit në Parlamentin Europian./VOA