Shkup, 20 tetor 2025 – Partia VMRO-DPMNE dhe koalicioni i saj kryesojnë në 53 komuna pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale të mbajtura dje në Maqedoninë e Veriut.
Sipas rezultateve paraprake të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), pas përpunimit të 99,94% të votave, pasojnë koalicioni VLEN me 9 komuna, LSDM me 8 komuna dhe Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) me 5 komuna.

Ndërkohë, Lëvizja ZNAM, Partia Demokratike e Turqve, Unioni i Romëve, si dhe grupet e pavarura të Mendi Qyrës dhe Azem Sadikut, kanë fituar secila nga një komunë.

Në listën e gjatë të komunave ku prin VMRO-DPMNE përfshihen qendra të rëndësishme si Ohri, Prilepi, Strumica, Shtipi dhe Velesi, ndërsa LSDM ka fituar në Bogdanci, Kriva Pallankë, Krushevë, Rosoman, Qendër dhe Çuçer-Sandevë.
VLEN udhëheq në komunat Tetovë, Çair, Saraj, Zhelinë, Dibër, Haraçinë, Tearcë, Bogovinjë dhe Dollnen, ndërsa AKI ka fituar në Gostivar, Vrapçisht, Likovë, Plasnicë dhe Çashkë.

Në disa komuna pritet përsëritja e raundit të parë për shkak të mosarritjes së censusit të votuesve, përfshirë Qendër Zhupë, Mavrovë-Rostushë dhe Vrapçisht.
Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale do të zhvillohet më 2 nëntor.


Kandidatët shqiptarë bashkojnë forcat në raundin e dytë në Bërvenicë

Komunën e Bërvenicës, raundi i dytë do të përballet mes Haqim Ramadanit nga koalicioni VLEN dhe Jovica Ilievskit nga OBRM-PDUKM.
Një zhvillim i rëndësishëm pas mbylljes së votimeve ishte mbështetja publike e Enver Pajazitit nga AKI për Ramadanin, duke bashkuar forcat shqiptare përballë kandidates maqedonase.

“Kemi qenë dy kandidatë shqiptarë dhe u dakorduam që kush do të ketë një votë më tepër, do të mbështetet nga tjetri. Këtë herë do të punojmë bashkë për ta rikthyer komunën te shqiptarët,” – deklaroi Pajaziti nga selia e VLEN-it.

Sipas rezultateve paraprake (me 94% të votave të numëruara), renditja është:

  • Jovica Ilievski (OBRM-PDUKM) – 2,837 vota
  • Haqim Ramadani (VLEN) – 2,019 vota
  • Enver Pajaziti (AKI) – 1,142 vota
  • Svetlana Mitreska-Anxheloska (LSDM) – 403 vota

Raundi i dytë në Bërvenicë pritet të jetë vendimtar, pasi mund të shënojë për herë të parë pas disa vitesh kalimin e komunës nën drejtimin e një kryetari shqiptar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu