
Një incident i rëndë dhe i paprecedentë është shënuar mbrëmjen e sotme në Vlorë, gjatë ndeshjes së futbollit mes Flamurtarit dhe Teutës. Në minutën e 69-të të takimit, një grup tifozësh vendas kanë kapërcyer rrethimin e brendshëm të stadiumit dhe janë futur në fushën e lojës.
Tifozët u përplasën fizikisht me lojtarët kundërshtarë, duke shkaktuar kaos në fushë dhe duke detyruar arbitrin të ndërpresë menjëherë ndeshjen. Situata u përshkallëzua për disa minuta, ndërsa u desh ndërhyrja e forcave të rendit për të shmangur një përplasje edhe më të madhe dhe për të rivendosur kontrollin.
Deri në këto momente nuk ka informacion zyrtar për të lënduar, ndërsa pritet reagimi i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe masat disiplinore ndaj klubit organizator për shkeljet e rënda të sigurisë.
Ngjarja ka ngjallur reagime të forta në opinionin sportiv dhe rikthen vëmendjen te problematika e sigurisë në stadiumet shqiptare.






