
Situata e furnizimit me ujë të pijshëm në Vlorë vijon të mbetet kritike. Edhe ditën e sotme qyteti nuk do të ketë ujë, pasi defekti në linjën kryesore të transmetimit ende nuk është riparuar.
Të indinjuar nga zgjatja e krizës, qytetarët kanë paralajmëruar një tjetër protestë, e cila do të zhvillohet sot në orën 10:00 para Bashkia Vlorë, ku do të kërkojnë zgjidhje të menjëhershme për situatën emergjente.
Si masë e përkohshme, Ujësjellësi ka shpërndarë ujë me autobote në disa lagje të qytetit, por kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për të përballuar nevojat. Një pjesë e banorëve janë detyruar të blejnë ujë të ambalazhuar, ndërsa të tjerë i janë drejtuar burimeve natyrore, kryesisht në zonën e njohur si “Uji i Ftohtë”.
Protesta e djeshme në teatër
Një ditë më parë, në shenjë proteste, dhjetëra qytetarë të Vlorës, të shoqëruar edhe nga anëtarë të FRPD, u futën me forcë në Teatri Petro Marko, duke ndërprerë mbrëmjen gala të organizuar nga bashkia me rastin e festave të fundvitit.
Situata u tensionua, duke kërkuar ndërhyrjen e policisë për largimin e protestuesve nga salla. Më pas, ata tentuan edhe bllokimin e qarkullimit të automjeteve në bulevardin kryesor të qytetit, si shenjë revolte ndaj mungesës së ujit për ditë me radhë.
Qytetarët paralajmërojnë se protestat do të vijojnë deri në rikthimin normal të furnizimit me ujë të pijshëm./tema







