
Sot qyteti bregdetar i Vlorës ndalet për një moment reflektimi dhe dhimbjeje. Qindra qytetarë i janë bashkuar marshimit paqësor në kujtim të Leandro Shametajt, 17-vjeçarit që humbi jetën tragjikisht në orët e para të së martës, pasi u përplas për vdekje nga një automjet luksoz tip “Porsche”.
Sipas hetimeve, drejtuesi i automjetit dyshohet se ishte në gjendje të dehur dhe lëvizte me shpejtësi marramendëse në rrugët e qytetit.
Marshimi, i organizuar nga nëna e Leandros, ka për qëllim të përcjellë një mesazh të fortë ndërgjegjësimi kundër drejtimit të automjeteve nën efektin e alkoolit dhe abuzimit me shpejtësinë. Përmes këtij akti simbolik, familjarët dhe bashkëqytetarët kërkojnë më shumë përgjegjësi, kujdes dhe drejtësi në rrugët shqiptare.
Leandro, i njohur nga të gjithë si një djalë i qetë, punëtor dhe i dashur, punonte si kamarier në një lokal të zonës. Natën e ngjarjes, ai po kthehej në shtëpi me motorin e tij, pas përfundimit të turnit të mbrëmjes, kur u përplas fatalisht nga “Porsche”-ja me targë AB737UI.
Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme dhe dërgimit në Spitalin Rajonal të Vlorës, 17-vjeçari nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të rënda.
Sot, Vlora mban zi për një jetë të re të këputur në mes. Nëna e Leandros, me forcën e dhimbjes që vetëm një prind mund ta ndjejë, apelon që kjo tragjedi të mos harrohet, por të shërbejë si thirrje për ndërgjegjësim e ndryshim, që asnjë familje tjetër të mos përjetojë të njëjtin makth.
 
            
 
	