
OKB – ja tha se gati 81% e të gjitha strukturave në Rripin e Gazës janë dëmtuar, sipas një vlerësimi të ri satelitor, ndërsa përpjekjet humanitare vazhdojnë mes shkatërrimeve të përhapura nga dy vjet sulme izraelite.
Duke cituar Zyrën për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq, tha në një konferencë për shtyp: “Shkalla e vazhdueshme e reagimit ndaj ndihmës tashmë po ka një ndikim pozitiv tek njerëzit në të gjitha zonat e Rripit. Por nevojitet shumë më tepër në mënyrë që të mund të adresojmë shkallën e plotë të nevojave dhe të mos lëmë askënd pas dore.”
Duke vënë në dukje se puna e rinovimit “është duke vazhduar në katër shkolla”, Haq deklaroi se gjatë tre ditëve të fundit, “OKB-ja dhe partnerët tanë kanë mbështetur rihapjen e pesë hapësirave të përkohshme të të nxënit në Qytetin e Gazës “.
Duke cituar analizën e fundit nga Qendra Satelitore e OKB-së , ai tha se “rreth 81% e të gjitha strukturave në Rripin e Gazës janë të dëmtuara”.
“Gaza Veriore përjetoi rritjen më të madhe të dëmeve që nga korriku i vitit 2025, me gati 5,700 struktura të prekura rishtazi”, tha ai, duke shtuar se “më shumë se 123,000 struktura në të gjithë rripin janë identifikuar si të shkatërruara, 50,000 të tjera janë dëmtuar rëndë ose mesatarisht, dhe 24,000 janë ndoshta të dëmtuara”.
Izraeli ka vrarë më shumë se 68,000 njerëz në Gaza në më shumë se dy vjet sulmesh që nga tetori i vitit 2023.
Një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit u arrit më 10 tetor, bazuar në një plan paqeje prej 20 pikash të propozuar nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump. Megjithatë, Izraeli e ka shkelur armëpushimin disa herë./ BalkanWeb
            
	





