Rezerva e arit në Bankën e Shqipërisë ka arritur vlerën 277.71 milionë euro. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, vlera totale e metalit të verdhë gjatë muajit të kaluar, është rritur me rreth 20 milionë euro në krahasim me muajin gusht.

Kjo përbën dhe vlerën më të lartë përgjatë historisë së tij në Bankën Qendrore të vendit.

yacht hotel sarande

Kjo rritje ka ardhur si pasojë e shtimit të vlerës së tij në tregjet ndërkombëtare, pas konflikteve që po ndodhin në Lindjen e Mesme.
Momentalisht, një onz ari, këmbehet mesatarisht me 2,653 dollarë në tregjet e huaja. Kjo sepse metali i verdhë konsiderohet gjithmonë si një aset i sigurt në kohë të pasigurish financiare.

Ari luan një rol shumë të rëndësishëm në ekonominë e një vendi, ku më e rëndësishmja është mbrojtja kundër paqëndrueshmërisë financiare.

Gjatë periudhave të pasigurisë ekonomike ose krizës financiare, investitorët shpesh drejtohen drejt arit si një aktiv strehë të sigurt.

Vlera e arit ka tendencë të rritet kur investimet e tjera, të tilla si aksionet ose monedhat, po performojnë dobët. Kjo ndodh sepse ari shihet si një aktiv i qëndrueshëm, që ruan vlerën e tij edhe në kushte të trazuara ekonomike.