
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur në takim në Departamentin Amerikan të Shtetit nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, në kuadër të 18-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe SHBA-ve.
Në njoftimin e saj, Osmani bëri të ditur se me kryediplomatin amerikan kanë diskutuar për forcimin e aleancës mes dy vendeve, thellimin e partneritetit strategjik si dhe hapat konkretë drejt avancimit të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe mbrojtjes.
Presidentja falënderoi SHBA-të për mbështetjen e vazhdueshme ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe për rolin kyç të prezencës ushtarake amerikane në garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke e cilësuar atë si objektiv strategjik me rëndësi jetike për sigurinë afatgjatë të vendit.
“Me SHBA-të jemi të bashkuar në vendosmërinë për të mbrojtur paqen dhe për të garantuar një të ardhme më të sigurt për brezat e rinj”, shkroi Osmani, duke shtuar se Kosova mbetet e përkushtuar, krah për krah me Shtetet e Bashkuara, në adresimin e sfidave globale dhe në rrugën drejt integrimit euroatlantik.






