
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mandatuar Glauk Konjufcën nga Lëvizja Vetëvendosje për formimin e Qeverisë së re. Konjufca ka 15 ditë kohë për t’i paraqitur Kuvendit kabinetin që duhet të marrë votat e të paktën 61 deputetëve.
Osmani deklaroi se gjatë ditës ka zhvilluar takime edhe me drejtuesit e partive të tjera, të cilët nuk kanë propozuar mandatar.
Më herët, Vetëvendosje përmes Albin Kurtit, propozoi zyrtarisht Konjufcën për të marrë detyrën e mandatimit.
Konjufca tha se synon bashkëpunim me partitë shqiptare të përfaqësuara në Kuvend, por jo koalicion, duke shtuar se zgjedhja e qeverisë do të shmangte zgjedhjet e reja në dhjetor, për të mos pasur dy palë zgjedhje brenda pak muajsh, për shkak se në prill duhet zgjedhur presidenti i ri i vendit.
Ai u shpreh se Qeveria që pritet të drejtojë do të miratojë buxhetin e ri, do të ratifikojë marrëveshjet për Planin e Rritjes së BE-së dhe do të adresojë çështjet urgjente.
Ndërkohë, partitë e tjera shqiptare në opozitë kanë kërkuar që Osmani të shpallë zgjedhje të reja.
Kurti theksoi se nuk sheh as si “mundësi teorike” ndonjë koalicion me partitë e tjera, duke akuzuar opozitën se ka ndërtuar “urrejtje hibride” ndaj tij.







