
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar rolin e DokuFest-it si një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në rajon, duke theksuar se festivali ka transformuar Prizrenin në një qendër të kulturës, filmit dhe ideve të reja.
“DokuFest e ka transformuar Prizrenin në kryeqytetin e kulturës, filmit dhe ideve të reja. Është një përvojë e paharrueshme, e thurur mes tregimeve frymëzuese dhe njerëzve që e bëjnë artin pjesë të jetës sonë të përditshme,” ka shkruar Osmani në rrjetet sociale
Sipas saj, vit pas viti, festivali është shndërruar në një fuqi të vërtetë kulturore, duke sjellë histori dhe talente nga Kosova dhe mbarë bota.
Edicioni i 24-t i DokuFest po zhvillohet nga 1 deri më 9 gusht 2025 në Prizren, me temën “Lakmi. Pafund. Çmendi. Boshllëk”, që trajton reflektime mbi luftën, mpirjen kolektive dhe krizën e gjuhës. Në këtë edicion marrin pjesë 100 filma në 7 kategori garuese, nga rreth 50 vende të botës, ndërsa programi përfshin edhe DokuNights me performanca nga Yll Limani dhe Shkodra Elektronike, si dhe programin për fëmijë DokuKids.
Megjithë suksesin, organizatorët kanë ngritur shqetësime për uljen me 30% të mbështetjes financiare nga Komuna e Prizrenit për këtë vit, duke e cilësuar si një goditje ndaj themeleve kulturore të qytetit. Nga ana tjetër, komuna ka theksuar se ka ofruar për vite mbështetje financiare dhe logjistike të konsiderueshme për festivalin.
DokuFest vazhdon të mbetet një ndër ngjarjet më të rëndësishme për promovimin e artit dhe kulturës, duke e kthyer për disa ditë Prizrenin në një skenë të madhe ndërkombëtare të kinemasë.