Lugina e Vjosës është edhe më pranë përfshirjes në listën e siteve të UNESCO-s, pas miratimit të dosjes së aplikimit nga Komiteti Ndërkombëtar i Këshillit për Rezervat e Biosferës. Lajmin e dha Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, duke e cilësuar këtë si një sukses të madh dhe një njohje ndërkombëtare për vlerat natyrore dhe përpjekjet për mbrojtjen e lumit të fundit të egër në Europë.

“Është më shumë se një vlerësim ndërkombëtar — është njohja ndaj bukurisë së egër të Vjosës, mirënjohja për njerëzit e atyre trevave që jetojnë në harmoni me natyrën dhe për përpjekjet e përbashkëta në mbrojtjen e lumit të fundit të egër të Europës,” deklaroi Kumbaro. Ajo theksoi se ky sukses është rezultat i një pune intensive të institucioneve shqiptare, që nga vizita historike e Drejtoreshës së Përgjithshme të UNESCO-s, Audrey Azoulay, në shkurt 2023, e deri te puna e palodhur e specialistëve vendas.

Departamenti i Shkencave Ekologjike dhe Shkencave të Tokës pranë programit “Njeriu dhe Biosfera” ka njoftuar se pas shqyrtimit të detajuar të dosjes në takimin e 31-të të Komitetit Ndërkombëtar, është rekomanduar që Lugina e Vjosës të aprovohet si Rajon Biosfere.

Vendimi final pritet të merret në Sesionin e 37-të të Programit MAB të UNESCO-s që do të mbahet në shtator 2025, çka do të përbëjë një hap përfundimtar për përfshirjen e Vjosës në listën e pasurive botërore si një simbol i zhvillimit të qëndrueshëm dhe mbrojtjes së natyrës.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu