Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka dhënë lajmin e mirë sot se për herë të parë pranë Spitalit Universitar Obstetrik – Gjinekologjik “Koço Gliozheni ka ardhur në jetë fëmija i parë me teknikën e riprodhimit të asistuar.
Ministrja Koçiu deklaroi se Soreja ka lindur me peshë 4 kg e 250 gram duke bërë realitet jo vetëm ëndrrën prej mëse 16 vitesh të dy prindërve të saj, Eridës dhe Xhemalit, por njëkohësisht duke shënuar një moment tejet të rëndësishëm për strukturat spitalore publike.
Koçiu vizitoi nënën dhe vajzën e saj e cila erdhi në jetë falë profesionalizmit të ekipit të mjekëve të Qendrës së Teknikave të Riprodhimit Mjekësor të Asistuar (RMA) në maternitetin “Koço Gliozheni”.
Ajo vuri në dukje se ardhja në jetë e fëmijës së parë nëpërmjet teknikës inovative të mjekësisë moderne u bë e mundur falë investimit të qeverisë për ngritjen e Qendrës së Teknikave të Riprodhimit Mjekësor të Asistuar (RMA) duke e kthyer në një qendër model të shtatzënisë në nivel kombëtar përmes riprodhimit të asistuar.
“Në spitalin publik kemi beben e parë me procedurën e riprodhimit të asistuar. Te materniteti “Koço Gliozheni” falë edhe Qendrës së Riprodhimit të Asistuar që u investua e gjitha falë buxhetit të shtetit nga e para dhe mundësisë për të rimbursuar paketën e fertilitetit për të gjitha çiftet që e kanë të pamundur të sjellin një bebe vetë, ne i ndihmojmë edhe i mbështesim për të realizuar ëndrrën e tyre më të madhe”, nënvizoi ministrja.
Qeveria shqiptare dhe MSHMS ka mundësuar financimin e plotë të paketës së fertilitetit, një shërbim i cili tashmë ofrohet falas për ata bashkëshortë apo çifte të cilët duan të kenë fëmijën e tyre nëpërmjet kësaj procedure. “Paketa e fertilitetit mbulohet 100% nga buxheti i shtetit”, u shpreh Koçiu.
Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se “materniteti “Koço Gliozheni” hapi siparin e kësaj procedure ndërkohë që me buxhetin e 2025 edhe materniteti “Mbretëresha Geraldinë do të fillojë investimin përkatës për të realizuar gjithashtu paketën e fertilitetit falas për të gjitha çiftet që dëshirojnë të kenë një fëmijë”.
Koçiu falenderoi të gjithë stafin e mjekëve dhe infermierëve që punojnë pranë kësaj Qendre për përkushtimin e tyre të cilët mundësuan realizimin me sukses të kësaj procedure për herë të parë në një strukturë spitalore publike.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu vizitoi edhe ambientet e Qendrës së Teknikave të Riprodhimit të Mjekësor të Asistuar pranë maternitetit “Koço Gliozheni” i cili ka një staf të trajtuar për këtë procedure dhe është e pajisur me të gjitha aparaturat mjekësore dhe medikamentet e nevojshme.