
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka pritur në një takim zyrtar violinistin dhe dirigjentin legjendar Shlomo Mintz, një nga figurat më të rëndësishme të muzikës klasike botërore. Takimi u fokusua tek bashkëpunimet kulturore dhe projektet e përbashkëta që pritet të nisin vitin e ardhshëm.
Gonxhja njoftoi se Shqipëria do të presë në vitin 2026 një prej projekteve më të veçanta në botën e muzikës dhe kujtesës historike: “Violinat e Shpresës”, një koleksion unik instrumentesh që i kanë mbijetuar kamp-eve të përqendrimit gjatë Holokaustit. Ky projekt ndërthur muzikën me historinë përmes ekspozimit të mbi 40 instrumenteve origjinale, koncerteve dhe performancave të posaçme, si edhe veprimtarive edukative të dedikuara për të rinjtë dhe komunitetin artistik.
Violinat e Shpresës kanë udhëtuar më herët në qendra të rëndësishme kulturore si Parisi, Jerusalemi, Sioni, Madridi, Monte-Karlo, Roma, Cleveland, Buenos Aires dhe shumë të tjera, duke u shndërruar në një simbol të ringritjes dhe kujtesës historike.
Shlomo Mintz është një ndër violinistët dhe dirigjentët më të rëndësishëm të skenës botërore. Ai debutoi që në moshën 11-vjeçare me Orkestrën Filarmonike të Izraelit dhe dy vite më pas interpretoi Koncertin e Paganinit. I formuar nën kujdesin e pedagogëve legjendarë Ilona Fehér dhe Dorothy DeLay në Juilliard, Mintz ka krijuar një karrierë të shkëlqyer duke performuar me orkestrat më prestigjioze ndërkombëtare dhe duke kontribuar për vite me radhë në fushën e edukimit muzikor dhe drejtimit orkestral.
Gjatë takimit, ministri Gonxhja dhe maestro Mintz diskutuan për mundësitë që vitin e ardhshëm të shoqërohet me masterkurse të specializuara, programe shkëmbimi dhe nisma edukative që do të mbështesin rritjen profesionale të talenteve të rinj. Në fokus ishte edhe pasurimi i jetës kulturore shqiptare me aktivitete të reja që do të krijojnë ura lidhëse me skenën ndërkombëtare të muzikës klasike.
Gonxhja çmoi gatishmërinë e maestro Mintz për të ndarë përvojën e tij të jashtëzakonshme me artistët e rinj në Shqipëri, duke theksuar se bashkëpunime të tilla do të kenë ndikim të rëndësishëm në promovimin e kulturës shqiptare në arenën globale.







