Një rezidencë e re artistësh e njëkohësisht një ambient i hapur kulturor, i ofrohet kryeqytetit përmes Vilës 31, ish-vila e diktatorit Enver Hoxha, deri dje e izoluar, që falë projektit të qeverisë shqiptare në bashkëpunim me Fondacionin “Art Explora”, është transformuar për të sjellë një sinergji të re artistike në krijimtarinë bashkëkohore vendase, duke e hapur atë ndërkombëtarisht.
Vila është rinovuar nga studio prestigjioze ndërkombëtare “NeM Architectes” dhe programi do të presë mbi njëzet artistë në vit, për rezidenca 3-mujore të shpërndara në 3 sesione. Një gamë e gjerë ngjarjesh kulturore do të shfaqen në Vila 31 x Art Explora, duke përfshirë gjithë rajonin e Ballkanit.
Me rastin e çeljes së rezidencave të reja u organizua sot një konferencë e posaçme për media me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, Drejtorit Ekzekutiv të “Art Explora” Bruno Julliard dhe Drejtoreshës Artistike të “Art Explora” Blanche De Lestrange.
*Fondacioni i mirënjohur “Art Explora” ndërton dialogun midis arteve dhe audiencës në shkallë lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare, me qëllim promovimin e ndarjes së kulturës me audiencën më të gjerë të mundshme. Me artistë, organizata kulturore dhe palë të interesuara në këtë fushë, eksplorohet krijimi bashkëkohor në të gjitha format e tij dhe krijohen përvoja të paharrueshme kulturore. I themeluar nga filantropi Frédéric Jousset që prej majit të vitit 2023, ky është një fondacion i mirënjohur në interesin publik, i cili ka bashkuar shumë partnerë dhe ka mobilizuar deri tani mbi dy mijë vullnetarë.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Mirëmbrëma! Më vjen jashtëzakonisht mirë që sot mbaron një rrugë shumë e gjatë e përsihatjeve se çfarë duhet të ndodhë me këtë godinë dhe dilemave se çfarë programi mund të ishte kjo godinë, e tundimeve për ta shembur dhe për ta kthyer në diçka tjetër dhe mbaron në mënyrën, sipas meje, më të mire dhe në radhë të parë besoj falë dy arkitektëve që janë këtu – se këtu kush nuk u përshëndet dhe kush nuk u lavdërua, por unë besoj që të dy arkitektët që janë këtu të pranishëm kanë një meritë të jashtëzakonshme për mënyrën se si e kanë transformuar këtë hapësirë, këtë shtëpi me fantazma në një hapësirë që ka një program diametralisht të ndryshëm nga ai që ishte programi i kësaj ‘’shtëpie’’, por njëkohësisht, duke ruajtur një përmbajtje nga pikëpamja e dekorit që vetëm e bën këtë qendër më të jetueshme dhe më tërheqëse, dhe më frymëzuese në shumë aspekte.
Kështu që, shumë faleminderit për punën e bërë dhe jam gjithmonë i impresionuar kur shoh partnerin mashkull të çiftit të arkitektëve, se është gjithmonë i dëshpëruar edhe pavarësisht nga rezultati, pavarësisht nga puna, nga ngarkesa, pamja e tij është sikur është gati të japë lamtumirën nga kjo botë.
Shumë respekt për punën në të gjitha rastet! E nga ana tjetër, jam shumë i kënaqur që ky partneritet u përmbush në një kohë rekord, që për burokracinë franceze do të ishte e paimagjinueshme, apo jo? Do të duhet të kalonin, nuk e di sa presidentë të Francës që të arrinim në ditën që ta hapnim qendrën, por faktikisht, ne ishim këtu bashkë me Presidentin kur ai bëri vizitën e parë zyrtare të një presidenti francez në historinë e marrëdhënieve tona dhe sot, unë me shumë kënaqësi do t’i çoj një video nga hapja e qendrës, se kur i thashë që do hapet në më pak se dy vjet, kujtoi se dëgjoi një gënjeshtër ballkanike nga ato që ka lexuar nëpër libra dhe ja ku është e vërteta.
Dhe ajo që mund të them, unë erdha në fakt para disa ditësh, i hodha një sy gjithë punës së bërë dhe është realisht një gjë e jashtëzakonshme. Unë e kam parë godinën dhe më përpara në gjendjen që ishte, edhe pavarësisht se ideja që u përmend dhe këtu, ishte që projekti të ishte sa më i fshehur pas objektit dhe që arkitektët të ishin të padukshëm, ishte shumë e lehtë ta thoje, por jo e lehtë të mendoje që duke qenë arkitektët të padukshëm, rezultati do ishte ky që është dhe është një rezultat spektakolar në të gjitha hapësirat, ku çdo detaj, çdo objekt, çdo element që është futur ekstra i ri, çdo përzgjedhje, në çdo pozicion e pikturave të vjetra apo e gjërave të vjetra është absolutisht një vepër arti, kështu që jam i bindur që kur të kaloni nëpër të, do ta ndjeni këtë. Po s’e ndjetë duhet të shkoni të vizitoheni dhe të shikoni se ku e keni problemin.
E fundit që kam, është mundësia e jashtëzakonshme që krijohet për artistët e rinj, për artistët shqiptarë, për artistët e rajonit, për artistët nga e gjithë bota për t’u takuar së bashku në një hapësirë, ku secili ka zonën e vet të pavarësisë së plotë, por ku të gjithë bashkë kanë edhe hapësirën e përbashkët.
Është një eksperiencw, qw unë e kam kaluar në një farë mënyre, një eksperiencë të ngjashme, jo në një godinë si kjo, kaq speciale, por në Qendrën Ndërkombëtare të Arteve në Paris dhe kur erdha këtu, mu kujtua që para se të mbaroja qëndrimin atje, më vunë dhe një gjobë se kisha bërë pis me bojë parketin. Kështu që ju duhet të siguroheni që të jetë një gjobë e tillë që ju vihet përpara, se e mendova kur po shikoja gjithë këto parkete, gjithë këto dysheme, thashë duhet vënë ajo gjoba se kishin të drejtë francezët që e kishin me gjobë. Ishte goxha gjobë, më ka dhembur shumë në atë kohë, por u detyrova ta paguaj, ndërsa eksperienca është e jashtëzakonshme dhe jam i bindur që në këtë hapësirë do të krijohen sinergji të reja, do të krijohen mundësi të reja për, jo vetëm artistët që vijnë, por edhe për mënyën se si është ndërtuar projekti dhe Blanche tha, në mënyrë të përmbledhur, por shumë nga elementët e projektit që kanë ndërveprim të vazhdueshëm me botën e jashtme, në kuptimin me botën përtej mureve të godinës dhe patjetër dhe përtej kufijve të Shqipërisë.
Kështu që, nuk më mbetet asgjë tjetër veçse t’i uroj sa më shumë sukses Art Explores në këtë ekspeditë të re jashtë kufijve dhe t’i uroj që ta kalojnë sa më mirë të gjithë artistët që do kenë fatin, privilegjin që do përzgjidhen sepse siç e dëgjuat, është një konkurencë e jashtëzkonshme, njëzet veta për njëmijë veta dhe jam i bindur që do të rritet numri i atyre që do të duan të vijnë, siç po rritet në tërësi numri i të gjithë atyre që duan të vijnë në Shqipëri. Kështu që, kush e merr këtë mbështetje është vërtetë me fat dhe patjetër që më vjen shumë mirë që ne u bëmë sebep për këtë sepse ishte një gjë që mungonte.
Kemi diskutuar edhe për të shkuar përtej kësaj, por rëndësi ka që sot e hodhëm këtë hap të parë shumë domethënës.
Në prill, do të kemi fatin të kemi këtu Muzeun e parë lundrues që do të qëndrojë për 10 ditë në Portin e Durrësit, duke bërë gjithë unazën e Mesdheut dhe pastaj vitet e tjera do sjellim me siguri, të tjera të reja por këtu në këtë shtëpi për shumë e shumë vite ka jetuar një njeri që funksiononte vetwm me urdhëra dhe unë një urdhër kam tani në fund të fjalës sime, që duartrokitjen e rastit mos ta bëni se ‘’hajt se duhet duartrokitur se fola unë’’, por një duartrokitje do ta bëja me shumë nderim për arkitektët, për gjithë punën e jashtëzakonshme që kanë bërë. Realisht shumë respekt! Faleminderit dhe për duartroktijen! Kush nuk duartrokiti, duhet të shkojë të vizitohet. E patjetër edhe për Dhuratën dhe për gjithë ekipin që do të kujdesen në vazhdim për gjithë mbarëvajtjen e jetës së përditshme të banorëve të përkohshëm të godinës. Edhe atë gjobën e ke merak vetë ti pastaj, Dhurata. Shumë faleminderit!
* * *
-Përshëndetje! Sigurisht çdo hapësirë për artin dhe kulturën është me shumë vend dhe me shumë rëndësi dhe është e mirëpritur. Megjithatë, pyetja ime ka të bëjë pikërisht me godinën. Në disa vite, në këto tre dekada ka qenë e mbyllur, janë bërë disa pritje për të cilat qeveria është kritikuar. Tani vendosni që ta hapni dua ia dedikuar artit por a duket se kështu, zoti kryeministër, po i heqim përgjegjësinë që ka patur kjo shtëpi si shtëpi e diktatorit, si përgjegjës i diktaturës, i krimeve, duke ia dhënë artit? A duhet të ishte mbase një muze i përgjegjësisë? Ka patur dhe propozime të tilla ndër vite.
Kryeministri Edi Rama: Domethënë duhet të mbajë përgjegjësi shtëpia për këtë?! Ky është një opinion që unë nuk e ndaj për arsyen e thjeshtë sepse unë besoj që gjëja më e duhur që duhej bërë në këtë hapësirë ishte kjo që u bë, që kjo hapësirë të përdoret për të bërë gjërat që Enver Hoxha do t’i kishte më shumë tmerr se çdo gjë tjetër. Kjo ka qenë në fakt ajo motoja shtytëse në mendjen tonë që çfarëdo qoftë që do të bëjmë aty, duhet të bëjmë një gjë që Enver Hoxha të rrotullohej në varr nga sikleti, deri në një pendesë ekstreme që “Pse jetova aty dhe pse e ndërtova aty që e morën dhe po ndërtojnë këto gjëra”. E kuptoj që për ju është e vështirë ta kuptoni këtë që po them sepse të paktën mesa ju lexoj në distancë, keni qenë shumë e vogël në mos nuk keni qenë fare në kohën kur i zoti i kësaj shtëpie jetonte, por nëse kishte diçka që e bënte tërësisht mizore diktaturën ishte çdo shprehje e asaj që ata e quanin “degjenerimi modernist”. Kjo do të jetë një shtëpi e degjenerimit modernist, dégénérescence moderniste totale.
Nuk ka më bukur sesa këtë hapësirë ta përdorin artistët e rinj, artistet e reja nga e gjithë bota dhe të jetë një vend dialogu dhe të jetë një vend ndërveprimi. Pastaj, ato krimet dhe përgjegjësitë e muzealizimit të së shkuarën i keni. Keni Muzeun e Gjetheve në qendër, keni BunkArt, jemi duke punuar për projektin e ri të Muzeut të Përndjekjes në Shkodër. Këtu ka dhe një gjë tjetër që çfarëdo uji t’i japësh gomarit i ke dhënë ujin me temperaturën e gabuar sepse kur bëmë BunkArt shpërtheu histeria që po kthehet e shkuara, kur bëmë BunkArt e 2 u bë një protestë e vazhdueshme derisa vajtën me kazma dhe me dy gishta, fut gishtat në bunker dhe bjeri me kazëm që të shembnin bunkerin. U vendos statuja e Stalinit dhe Leninit si një gjest vetë-ironie me të shkuarën, uuu.
Kështu që, sido që të bësh këtu..
Kështu që ne kemi bërë këtë zgjedhje e jam i bindur që kemi bërë zgjedhjen më të mirë dhe më të duhur plus që ka ardhur si rezultat i një kohe shumë të gjatë reflektimi, çfarë nuk është menduar të bëhet kjo “Jopo të bëhet kështu, jopo të bëhet ashtu”. E njëjta gjë dhe për atë tjetrën, vilën tjetër që është bërë tani një shtëpi mikpritëse për vizitorë, për takime zyrtare etj dhe në fund konkluzioni i gjithë kësaj kohe dhe rezultatet në të dyja rastet tregojnë që ri-përdorimi i këtyre hapësirave duke përqeshur historinë e tyre por pa e fshirë atë është gjëja më e pjekur dhe më shëruese në raport me të kaluarën.
– Pashë listën e artistëve, të cilët do të marrin pjesë këtu. Duke qenë se unë i përkas letërsisë e cila nuk është ende profesion në Shqipëri, pyetja është a do ketë një qoshkë në gjithë këtë vilë për një rezidencë të vogël për shkrimtarë? Kjo është një praktikë shumë e përhapur le të themi dhe në vendet ballkanike. Kjo vilë ka dhe një simbolikë tjetër, ndjesë nëse zgjatem, me letërsinë në vitin 1996 shkrimtari më i madh i Amerikës Latine e ndoshta më i madhi në botë, ndër më të mëdhenjtë në botë, Ernesto Sabato ka fjetur një natë këtu i cili u ftua për të marrë një çmim, edhe pse nuk arriti të flinte sepse doli në mesnatë kur i thanë që këtu ka qenë vila e diktatorit dhe e gjetën diku në qendër duke vizatuar. Nga programi shoh që këtu nuk ka asnjë shkrimtar, pra nuk i përket letërsisë. A do ketë shkrimtarë të rinj dhe jo të rinj mbase në të ardhmen dhe kjo ndoshta i shkon pak kundër edhe asaj që tha kryeministri sepse a do të bëhet këtu një art të cilin diktatori tentoi ta bënte por nuk arriti dot? shkruante dhe ai. Pra, pyetja është a do të ketë shkrimtarë, që ta konkludojmë?
Kryeministri Edi Rama: Nuk e di ku ishte pjesa që më kundërshtove mua, se unë mendoj që në rastin konkret kjo nuk është një shtëpi shkrimtarësh, është një shtëpi artistësh janë dy gjëra të ndryshme, pavarësisht se mund të ftojmë dhe shkrimtarë etj, etj. Por ne jemi duke punuar një tjetër projekt që do jetë një projekt për shkrimtarët, pra një shtëpi shkrimtaresh që unë besoj se ju me siguri keni parë ose keni lexuar për ato. Në Gjirokastër, në ish-shtëpinë e pritjes ku shkonte edhe i zoti i atëhershëm i kësaj shtëpie do bëjmë një shtëpi që do të jetë e dedikuar për shkrimtarët, duke qenë se është edhe qyteti i Ismail Kadaresë, duke qenë se edhe Ismail Kadareja nuk është më, por është një nga brandet më të rëndësishme të Shqipërisë, do të jetë shtëpia “Kadare” që do të pres shkrimtarë edhe jemi duke punuar me projektin bashkë me një projekt tjetër të rrugëve të personazheve të Ismail Kadaresë në Gjirokastër. Është projekt, nuk kemi akoma përfundimisht si të thuash aprovuar se si do të jetë, po do ta çojmë deri në fund si projekt dhe pastaj nëse do të bindemi plotësisht se është gjëja e duhur do bëjmë. Por besoj se nuk kemi arsye që mos të kemi një shtëpi shkrimtarësh në Gjirokastër.