57-vjeçari që humbi jetën pasditen e sotme në galerinë e Minierës së Katjelit, në bashkinë e Prrenjasit, ishte pjesë e grupit të eliminimit të avarive. Syrja Bego, 57 vjeç, ishte futur në galerinë e minierës së bashku me 9 minatorë për të kontrolluar sigurinë në galeri dhe për të eliminuar çdo avari të mundshme që ekzistonte ende në galeri, ku punimet ishin ndërprerë prej disa ditësh.

Bego, i njohur si një nga specialistët më me eksperiencë të avarive, dhe grupi i tij i punës, pas marrjes së udhëzimeve nga drejtuesi teknik i kompanisë që ka marrë me koncesion Minierën e Katjelit, sot pas mesdite janë futur në galeri. Rreth orës 18:00, gjatë kohës që po ecnin në grup në thellësi të galerisë, mbi kokën e tij ka rënë një gur me përmasa të mëdha dhe, fatkeqësisht, kjo ka rezultuar fatale për jetën e 57-vjeçarit, i cili ka ndërruar jetë në galeri.

Trupi i tij i pajetë është nxjerrë nga kolegët dhe do t’i nënshtrohet autopsisë dhe procedurave të tjera ligjore, ndërsa po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes aksidentale.

Miniera e kromit Katjel administrohet nga z. Gëzim Balla, i cili shprehet i keqardhur për ngjarjen e rëndë. Ai u shpreh gjatë një komunikimi në telefon se ndjehet jashtëzakonisht i trishtuar dhe i keqardhur për tragjedinë e ndodhur në minierën e Katjelit, të administruar prej tij. Miniera, sipas tij, prej disa ditësh nuk ishte në gjendje pune për nxjerrjen e mineralit.

Balla: Gjatë ditëve të fundit në galeri është punuar për të krijuar kushte optimale për punë. Sot, rreth mesditës, gjithçka ka qenë gati për rifillimin e procesit normal të punës. Drejtuesi teknik i kompanisë, Hysni Kllogjri, ka inspektuar kushtet e sigurisë në galerinë e minierës dhe, para fillimit të punës, kanë trajnuar minatorët, si zakonisht, për të filluar punën duke iu kujtuar zbatimin e të gjitha standardeve të sigurisë gjatë punës në galeri. Siguria e jetës së minatorëve është dhe do të jetë një nga parimet tona më të rëndësishme në këtë sipërmarrje.

Përgjegjësi i turnit, Gëzim Kllogjri, në mesditë më ka njoftuar për aksidentin tragjik, ku një nga minatorët ka humbur jetën. Kjo ngjarje na ka shokuar dhe ndjehem mjaft i lënduar. Paraprakisht jam informuar se nga tavani i galerisë ka pasur shembje dhe minatori 58-vjeçar është aksidentuar me vdekje, pasi është goditur në kokë nga një gur./Syri

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu