
Largimi i bluzave të bardha nga Shqipëria është një fenomen që nuk ndalet. Vetëm gjatë vitit të kaluar, 146 mjekë kërkuan çertifikatën e sjelljes së mirë, prej të cilëve 19 prej tyre mjekë specialistë.
“Viti që ka pasur numrin më të lartë të kërkesave për tërheqjen e çertifikatave ka qenë viti 20 22, 191, ku 30 prej tyre kanë qenë mjekë specialistë. 2023-2024: 147 mjekë, 19 mjekë specialistë dhe ky 6-mujor që përmendëm është 65”, tha Kontilia Rapo, sekretare e përgjithshme, Urdhri i Mjekut.
Gjermania vazhdon të mbetet destinacioni kryesor për mjekët shqiptarë, ndjekur nga Italia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe Britania e Madhe.
“Gjermania mban vend të parë, pati një fluks edhe nga shteti italian, vendi i tretë Amerika, një rritje të aplikimeve dhe Britania.”
Megjithatë, sipas ekspertëve, në vitet pasardhëse pritet që numri i largimeve të mjekëve të rinj të bjerë, për shkak të ndryshimeve ligjore në arsimin e lartë që i detyrojnë ata të punojnë për disa vite në Shqipëri para se të largohen.
“Në bazë të ndryshimeve ligjore që i bënë arsimit të lartë sidomos, do të kemi një ulje, sepse deri në tri vite një mjek i mirë duhet të punojë dhe të nënshkruajë një kontratë. Pas 2026 do të kemi një tendencë uljeje për largim, të paktën të brezit të ri.”
Një prej arsyeve kryesore të largimit të mjekëve nga Shqipëria lidhet me mundësitë për një ekonomi më të mirë jashtë vendit. Paga më të larta dhe kushtet më të favorshme të punës janë nxitja kryesore për emigrimin e bluzave të bardha./vizionplus.