
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, akuzohet se përmes një projekti ndërtimi të një qendre biznesi të lidhur me familjen Trump, në territorin e ish-Shtabit të Përgjithshëm të JNA-së, ka tentuar të përfshijë presidentin e Shteteve të Bashkuara në një skandal të madh korruptiv. Sipas raportimit të mediumit malazez Vijesti, kjo përpjekje u shoqërua me shkelje serioze ligjore dhe manovra institucionale, çka çoi në dështimin e plotë të projektit.
Sipas Vijesti, familja Trump e ka kuptuar në kohë situatën, e cilësuar si një “kurth skandaloz”, dhe është tërhequr nga projekti përpara se të përfshihej drejtpërdrejt. Mediumi thekson se, pa hyrë në shkeljet konkrete ligjore për të cilat Prokuroria e Serbisë ka ngritur tashmë aktakuzë, dimensioni gjeopolitik dhe ekonomik i çështjes është thelbësor, po aq sa edhe dëmi që, sipas tyre, establishmenti i Vuçiçit i ka shkaktuar Serbisë.
Vetë Vuçiç kishte deklaruar se projekti do t’i sillte vendit rreth 1.5 miliardë euro investime, një shumë e konsiderueshme sipas standardeve ndërkombëtare dhe veçanërisht për ekonominë serbe. Dështimi i tij, sipas Vijesti, ka dërguar një sinjal negativ për investitorët e huaj dhe për qytetarët e Serbisë, duke e paraqitur vendin si një partner të pasigurt për zhvillim ekonomik. Në këtë kuadër përmendet edhe rritja e konvertimit të dinarit serb në euro, si tregues i mungesës së besimit të qytetarëve në monedhën vendase.
Mediumi malazez vë në dukje gjithashtu se marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara janë të ndërlikuara, për shkak të një përçarjeje të thellë mes qëndrimeve të shumicës së popullsisë dhe politikave të regjimit aktual. Sipas këtij vlerësimi, Vuçiç po përballet me pasojat e politikave të tij shumëvjeçare, pasi për gati tri dekada ka ndikuar në formimin e një opinioni negativ ndaj Perëndimit, veçanërisht ndaj SHBA-së.
Analistët theksojnë se dështimi i projektit ka dëmtuar rëndë imazhin e Serbisë si destinacion i sigurt për investime të huaja dhe ka rritur pasigurinë ekonomike te qytetarët. Në të njëjtën kohë, vendi po përballet me sanksione ndaj Industrisë Serbe të Naftës, krizë energjetike, protesta të vazhdueshme dhe përplasje mes policisë dhe demonstruesve.
Në këtë kontekst, Vijesti nënvizon edhe mungesën e Vuçiçit në takimin e paralajmëruar me liderët evropianë në Bruksel. Sipas raportimeve, kjo lidhet me vlerësimet se Serbia ka shënuar regres në fushat e lirisë së shprehjes, sistemit ligjor dhe sigurisë së përgjithshme ekonomike.




