Ashtu siç ishte paralajmëruar, opozita mbajti sot protestën e dytë para Kryeministrisë, pas asaj të së hënës së kaluar. Tubimi nisi në orën 18:00 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku ishte ngritur një foltore për fjalimet e drejtuesve opozitarë dhe aleatëve të tyre.

Berisha deklaroi se qëllimi i protestave nuk është thjesht “shpëtimi i opozitës”, por “shpëtimi i Shqipërisë nga krimi dhe korrupsioni i qeverisë”.

“Fundi i qeverisë do të vijë nga ky shesh”

“Foltorja nuk ka mision të shpëtojë opozitën, por Shqipërinë nga krimi. Fundi i qeverisë do vijë nga ky shesh. Ne do vijojmë betejën tonë si misionarë deri në largimin e tyre dhe rikthimin e votës së lirë,” – tha Berisha para mbështetësve.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij  deklaroi se emërimi i tij si zëvendës President i Internacionales Demokratike të Qendrës (CDI) përbën një nderim për demokratët dhe sakrificën e tyre në vite.

Berisha tha se është kthyer sot nga Brazili dhe iu garantoi të pranishmëve se opozita ka mbështetje ndërkombëtare në betejën e saj kundër qeverisë, të cilën ai e cilësoi “të keqen”.

“Kemi miq në mbarë botën”

“Vij sot nga Brazili për t’ju garantuar se kemi miq më shumë se kurrë. Në betejën me të keqen që përballemi, nuk jemi vetëm. Kemi mbështetje nga njerëzit që duan lirinë në mbarë botën,” – tha Berisha.

Ai shtoi se zgjedhja në postin e lartë të zv.presidentit të CDI është një vlerësim për qëndresën e demokratëve:

“Ky nderim është për sakrificat tuaja, për qëndresën tuaj,” – u shpreh Berisha.

Rreth orës 18:30, teksa kreu i PD-së po i drejtohej vendit ku ishte improvizuar “Foltorja 2”, një qytetar tentoi t’i afrohej. Truprojat ndërhynë menjëherë për ta larguar, ndërsa Berisha i shtrëngoi dorën qytetarit para se të vijonte rrugën drejt skenës.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu