
Pas disa orësh përpjekjesh intensive, është shuar plotësisht zjarri që përfshiu mesditën e sotme një sipërfaqe pyjore në zonën e Qeparos.
Flakët morën përmasa të mëdha për shkak të terrenit të thyer dhe erërave të forta, duke vënë në rrezik të drejtpërdrejtë disa banesa dhe një fabrikë përpunimi të vajit të ullirit. Falë ndërhyrjes së koordinuar nga toka dhe ajri, u bë e mundur neutralizimi i vatrës dhe parandalimi i një situate më të rëndë.
Në operacionin e shuarjes u angazhua një helikopter “Black Hawk” i Forcës Ajrore, i cili luajti një rol vendimtar në përballimin e flakëve nga ajri. Paralelisht, në terren vepruan mjetet zjarrfikëse, efektivë të Shërbimit Zjarrfikës dhe punonjës të shërbimit pyjor.
Strukturat e Mbrojtjes Civile, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet vendore dhe qendrore, arritën të ruajnë jo vetëm mjedisin natyror, por edhe të garantojnë sigurinë e banorëve dhe mbrojtjen e pasurisë së tyre.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) dhe Ministria e Mbrojtjes kanë bërë thirrje për vigjilencë të shtuar nga qytetarët në këtë periudhë me temperatura të larta dhe kushte të favorshme për përhapjen e zjarreve. Autoritetet nënvizojnë se çdo vatër zjarri, sado e vogël të duket, duhet të raportohet menjëherë për të parandaluar pasoja të rënda për jetën, pronën dhe natyrën.