
Pamje të transmetuara nga kanali iranian IRINN tregojnë godinën e transmetuesit shtetëror të Iranit, Islamic Republic of Iran Broadcasting (IRIB), teksa përfshihet nga flakët pas një sulmi ajror të kryer nga Izraeli.
Sipas mediave shtetërore iraniane, godina është goditur drejtpërdrejt në kuadër të valës së fundit të sulmeve që Izraeli ka ndërmarrë ndaj infrastrukturës strategjike iraniane. IRINN publikoi pamje dramatike që tregojnë tym të zi të dendur që ngrihet mbi ndërtesë, ndërsa ekipet e emergjencës përpiqen të vënë nën kontroll zjarrin.
View this post on Instagram
Nuk dihet ende nëse ka viktima apo të plagosur si pasojë e goditjes. Zyrtarë iranianë nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar mbi gjendjen e transmetuesit kombëtar dhe dëmet e shkaktuara në infrastrukturë.
Ky sulm vjen në një moment të tensionuar mes dy vendeve, teksa përplasjet mes Iranit dhe Izraelit kanë hyrë në ditën e katërt me shkëmbime të vazhdueshme zjarri dhe goditje në territorin e njëri-tjetrit.
Zhvillimet pritet të shtojnë edhe më tej tensionet në rajon, ndërkohë që komuniteti ndërkombëtar po bën thirrje për përmbajtje dhe ndalje të përshkallëzimit të konfliktit.