
Një shqiptar në majat e futbollit europian. Igli Tare, ish-sulmuesi i Kombëtares Shqiptare dhe drejtues i suksesshëm në Serie A, është prezantuar zyrtarisht si drejtori i ri sportiv i AC Milan. Në intervistën e tij të parë, Tare ka folur me emocion, qartësi dhe përkushtim, duke shprehur synimet për të ardhmen e klubit.
“Kam ardhur me ide të qarta dhe shumë entuziazëm. Dua që kjo ndjesi të përçohet në gjithë ambientin milanist,” – u shpreh ai.
Tare nuk e fshehu lidhjen emocionale me klubin që nga fëmijëria:
“Kam bërë tifo për Milanin që kur isha fëmijë. Është klubi që e kam ndjekur gjithmonë dhe të jem sot pjesë e tij është realizimi i një ëndrre.”
Ai vuri theksin te identiteti i klubit dhe përgjegjësia që mbart fanella e Milanit:
“Kush vjen te Milani duhet të kuptojë peshën e kësaj fanelle dhe madhështinë e San Siros. Kjo është një sfidë ku fitorja është domosdoshmëri.”
Tare do të ketë një rol kyç në ndërtimin e skuadrës, duke bashkëpunuar ngushtësisht me emra si Zlatan Ibrahimović dhe Giorgio Furlani.
“Roli im është të sjell strategjitë e duhura për të përmirësuar skuadrën, për të promovuar të rinjtë dhe për të rikthyer Milanin aty ku e ka vendin: në majë të futbollit europian.”
Me këtë emërim historik, Igli Tare konfirmon edhe një herë nivelin e lartë të përfaqësimit shqiptar në arenën ndërkombëtare, jo vetëm në fushë, por edhe në zyrat drejtuese të klubeve më prestigjioze në botë.