
Aeroporti i Korfuzit ka qenë për disa orë në gjendje alarmi pasi një zjarr shpërtheu në motorin e një avioni pasagjerësh që kishte si destinacion Düsseldorfin e Gjermanisë.
Sipas dëshmitarëve okularë, menjëherë pas ngritjes nga pista, nga njëri motor u panë flakë të forta të shoqëruara me një zhurmë të fuqishme. Në avion ndodheshin 250 pasagjerë, të cilët përjetuan momente paniku.
Pilotët arritën të shuanin flakët në lartësinë prej 1,500 këmbësh, ndërkohë që kapiteni vendosi të mos kthehej në Korfuz, duke konfirmuar se avioni mund të vazhdonte fluturimin vetëm me një motor.
View this post on Instagram
Mjeti fluturues u ngjit deri në 11,000 këmbë, bëri një rrotullim mbi Korfuz dhe më pas uli lartësinë në 8,000 këmbë. Pas një vendimi teknik, ekuipazhi zgjodhi të kalonte mbi Adriatik dhe të ulej në mënyrë të sigurt në aeroportin e Brindisit, Itali.
Ky incident nuk shkaktoi asnjë të lënduar, ndërsa autoritetet ajrore pritet të nisin hetimet mbi shkaqet e zjarrit në motorin e avionit.