
Kanada po tronditet nga vrasja e shqiptares Savannah Kulla, 29 vjeç, nënë e katër fëmijëve, e cila u qëllua dhe u vra nga ish-partneri i saj në një parking.
Autori, 38-vjeçari Anthony Deschepper, më pas rrëmbeu vajzën e tyre 17-muajshe, të cilën e la tek një i afërm në zonën e Niagarës. Deschepper u qëllua dhe u vra më vonë nga policia. Një femër tjetër, e cila ishte me Deschepper në makinë në momentin e vrasjes, është arrestuar dhe përballet me akuza.
Nëna e Kullës, Karen, në një intervistë për CityNews, rrëfeu tmerrin dhe mosbesimin e saj ndaj ish-partnerit të vajzës:
“[Ai ishte] aq i dashuruar me të, kjo është ajo që më lë pa mend. Si i çmendur i dashuruar me të… deri në atë pikë sa është i fiksuar,” tha Karen. Ajo shtoi se Savannah kohët e fundit kishte ndërprerë marrëdhëniet me partnerin dhe i kishte thënë: “Kjo ka mbaruar.”
Karen theksoi se Savannah i donte shumë fëmijët e saj dhe kishte bërë gjithçka për ta mbrojtur. Savannah kishte një vajzë me Deschepper, ndërsa tre djemtë e tjerë janë me babanë e tyre, ish-partnerin e Savannah.
Për të mbështetur familjen, një fushatë GoFundMe është krijuar nga shoqja e vjetër e Kullës, ku fondet do të shkojnë për “arsim, terapi dhe krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të dashur që nderon vizionin që Savannah kishte për fëmijët e saj.”






