
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar të gjithë shqiptarët për 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë, teksa u paraqit sot në konferencën përgatitore në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj tij dhe ish-zyrtarëve të tjerë të UÇK-së në Hagë.
Gjatë seancës, e cila po mbahet pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës, Thaçi ka shprehur pakënaqësinë për faktin që ajo është caktuar pikërisht në këtë datë të shënuar për shqiptarët. Sipas tij, zhvillimi i seancës sot është “një befasi jo e mirë” si për të personalisht, ashtu edhe për popullin shqiptar.
View this post on Instagram
Thaçi përmendi rëndësinë historike të 28 Nëntorit, ditës së Flamurit, e cila përkon me ngritjen e flamurit në Vlorë më 1912 dhe me shumë momente të tjera të identitetit kombëtar shqiptar. Ai u shpreh se pavarësisht rrethanave në të cilat gjendet, uron që shqiptarët ta festojnë këtë ditë me krenari dhe unitet.
Konferenca përgatitore po vazhdon në kuadër të procesit gjyqësor ku bashkë me Thaçin po gjykohen edhe Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Kilaj dhe Hajredin Kuçi, të akuzuar për pengimin e administrimit të drejtësisë.
“Gëzuar 28 Nëntorin të gjithë shqiptarëve kudo që janë,” tha Thaçi nga Gjykata e Hagës.







