
Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.1 ballë që goditi brigjet e Kretës ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në ndërtesa dhe infrastrukturë në qytetin e Heraklionit, përfshirë edhe dëmtime në eksponatet e Muzeut Arkeologjik.
Shërbimet komunale kanë regjistruar plasaritje të mureve, rënie të suvasë dhe dëmtime të strukturave historike si hoteli i vjetër “Minos” dhe ndërtesa të mbrojtura si “Kothris Mansion”. Dëme janë shënuar edhe në fasadat dhe ballkonet e shumë banesave në zona të ndryshme të qytetit.
Në lagjen Agios Minas, ndërtesa e vjetër e EFKA-s ka pësuar dëmtime të rënda me rënie të suvasë nga muret e brendshme dhe çarje të mëdha në strukturë.
Në zonën këmbësore të rrugës Petropoulaki, pjesë të një shtëpie të vjetër ranë në trotuar, ndërsa në rrugën Monis Kardiotissis, rrjeta mbrojtëse nuk arriti të ndalojë rënien e mbetjeve nga një ndërtesë e amortizuar. Po ashtu, në rrugën Avlonos, një ballkon i pasigurtë ka shkaktuar rënie suvasë në trotuar, duke dëmtuar edhe një shtëpi aty pranë.
Dëme në Muzeun Arkeologjik të Heraklionit
Tërmeti ka prekur edhe Muzeun Arkeologjik të Heraklionit. Sipas burimeve të Creta24, katër eksponate të vendosura në katin e parë janë rrëzuar nga vitrina për shkak të lëkundjes së fortë dhe janë thyer.
Deri tani nuk ka informacion të plotë për shkallën e dëmtimit të objekteve muzeale, ndërkohë që autoritetet vazhdojnë inspektimet për të vlerësuar sigurinë e ndërtesave dhe për të marrë masa mbrojtëse në zonat e prekura.