
Dhjetëra mijëra qytetarë dolën në rrugët e Beogradit për të kërkuar zgjedhje të parakohshme dhe për t’i dhënë fund qeverisjes 12-vjeçare të presidentit Aleksandar Vuçiç.
Protesta u organizua nga studentët e universiteteve, të cilët prej tetë muajsh janë në krye të lëvizjes anti-korrupsion që nisi pas shembjes tragjike të çatisë së një stacioni treni të saporinovuar në Novi Sad, ngjarje që mori jetën e 16 personave dhe u lidh me abuzime dhe korrupsion në projektet publike.
Pavarësisht dorëheqjes së kryeministrit Milos Vucevic në fillim të vitit, Vuçiç ka mbetur në pushtet, duke refuzuar thirrjet për zgjedhje të reja.
Në Beograd, autoritetet vendosën forca të shumta policore me pajisje anti-revoltë, ndërsa paralelisht u raportua se kompania hekurudhore ndaloi shërbimet e trenave për shkak të një kërcënimi për bombë, që kritikët e quajtën një tentativë për të penguar qytetarët që të udhëtonin drejt protestës.
Pak orë para nisjes së tubimit në sheshin Slavija dhe bulevardin Nemanjina, partia e Vuçiçit solli me autobusë mbështetës nga qytete të tjera, të veshur me bluza me mbishkrimin: “Nuk e dorëzojmë Serbinë”, duke u bashkuar me grupet besnike që prej muajit mars janë vendosur pranë zyrës së presidentit në qendër të Beogradit.
View this post on Instagram
Vuçiç deklaroi për mediat se pas protestës qëndrojnë “fuqi të huaja”, ndërsa shtoi se policia duhet të jetë e përmbajtur, por paralajmëroi se “kriminelët do të përballen me drejtësinë”.
Përkundër presionit të vazhdueshëm, Vuçiç ka refuzuar të shpallë zgjedhje të parakohshme dhe shprehet i vendosur për ta çuar deri në fund mandatin e tij të dytë që përfundon në vitin 2027, kur parashikohen edhe zgjedhjet parlamentare.
Kundërshtarët e akuzojnë Vuçiçin dhe aleatët e tij për lidhje me krimin e organizuar, dhunë ndaj rivalëve politikë dhe kufizim të lirisë së mediave – akuza që presidenti dhe partia e tij i mohojnë.
Ditët e fundit, policia serbe arrestoi disa persona të dyshuar për komplot për rrëzimin e qeverisë dhe ndaloi hyrjen në vend për disa shtetas nga Kroacia dhe një regjisor nga Mali i Zi, pa dhënë shpjegime.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa Beogradi vijon të jetë në epiqendrën e zhvillimeve politike dhe protestave më të mëdha që ka njohur Serbia në vitet e fundit. /Al Jazeera