
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Kufizimi”, zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, pas zbardhjes së një rasti të rëndë rrëmbimi dhe dhune fizike për motive financiare.
Rrëmbim dhe dhunë për 5000 euro
Sipas njoftimit zyrtar, pesë persona janë identifikuar si autorë të dyshuar për rrëmbimin dhe dhunimin e një 27-vjeçari, me qëllim marrjen e një shume prej 5000 eurosh. Dy prej tyre janë arrestuar, ndërsa tre të tjerë janë shpallur në kërkim.
Të arrestuarit janë L. K., 24 vjeç dhe A. N., 24 vjeç, ndërsa në kërkim janë shpallur K. N., 23 vjeç, M. M., 21 vjeçe dhe S. C., 25 vjeçe.
View this post on Instagram
Hetimet paraprake tregojnë se autorët kanë bashkëpunuar për t’i marrë me forcë paratë 27-vjeçarit. Ai është mbajtur për disa orë në një apartament dhe është dhunuar fizikisht, derisa iu dorëzuan autorëve 5000 euro. Më pas, ata e kanë kërcënuar sërish për t’i marrë edhe një shumë tjetër parash.
Arrestohet dhe babai i autorit, i kapet armë zjarri
Në vijim të operacionit, policia ka kontrolluar banesën e A. K., 60 vjeç, babai i njërit prej të arrestuarve. Gjatë kontrollit u gjet dhe sekuestrua një armë zjarri pistoletë me municion luftarak, ndërsa në dhomën e të birit u gjetën 5000 euro, që dyshohet të jenë paratë e marra viktimës.
Në total, u sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë, 5000 euro, 6 celularë dhe 1 automjet, të përdorur nga autorët gjatë ngjarjes.
Hetimet vijojnë
Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa Policia e Tiranës thekson se operacioni “Kufizimi” është pjesë e përpjekjeve për goditjen e veprimtarive kriminale që cenojnë jetën, pronën dhe lirinë e qytetarëve.




