
TIRANË – Seanca plenare e kësaj të enjteje nisi në kaos dhe tension të lartë politik, pasi deputetët e Partisë Demokratike kanë bllokuar zhvillimin normal të punimeve, duke ndezur flakadanë në sallën e Kuvendit dhe duke akuzuar mazhorancën për mbrojtje të korrupsionit.
Kulmi i tensioneve ishte gjatë betimit të Endri Shabanit si Avokat i Popullit.
View this post on Instagram
Aksioni opozitar vjen në vazhdën e skandaleve të fundit që lidhen me zv.kryeministren Belinda Balluku dhe zyrtarë të AKSHI-t, për të cilët PD pretendon se po mbrohen politikisht nga shumica socialiste.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, me tone të ashpra, kërkoi që personat e akuzuar për korrupsion të përballen me Kuvendin dhe drejtësinë. “Sillini hajdutët këtu! Mos i fshihni pas karrigeve dhe imunitetit”, deklaroi Berisha nga foltorja, mes zhurmës dhe protestës së deputetëve opozitarë.
Kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla publikoi pamjet se si nisi bllokimi përpara se të fillonte seanca, me komentin “fali zot se s’dinë ç’bëjnë”.
Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi drejtpërdrejt mazhorancën se po mbron Ballukun. “E keni mbyllur Belindën në kasafortë, po e ruani nga drejtësia dhe nga transparenca”, u shpreh Bardhi, duke e cilësuar situatën si një provë të kapjes së institucioneve.
Tensioni në sallë u shoqërua me ndërprerje të seancës disa herë, ndërsa mazhoranca akuzoi opozitën për shkelje të rregullores dhe për përpjekje për të krijuar kaos institucional.
Situata në Kuvend mbetet e acaruar, me përplasjen mes mazhorancës dhe opozitës që pritet të vijojë, ndërsa çështja e hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë qeveritarë po kthehet në boshtin kryesor të konfliktit politik në vend.






